Muhamed Halili: VMRO-DPMNE nuk ka më ideologji, janë kapur për fijen anti-bullgare

Historia e pluralizmit politik në Maqedoni ka qenë e përshkuar nga betejat e fund midis d partive kryesore maqedonase, të cilat në fillim kishin një imazh për njëra tjetrën, që u bë klishe. Kështu VMRO-DPMNE në fillet e saj në vitet e 90-ta kur doli në skenën politike në Maqedoninë e atëhershme, në opinion llogaritej si parti me orientim pro bullgare, ndërsa LSDM-ja e asaj kohe e Branko Cërvenkovski si trashëgimtare e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, akuzohej si pro-serbe. Mirëpo dhe klisheja po ndryshon, sepse, kontesti maqedonas-bullgar nxori në sipërfaqe një VMRO-DPMNE tjetër, një subjekt me orientim anti-bullgar, madje edhe si pro-serbe e pro-ruse.

Diplomati dhe analisti politik Muhamed Halili, si një nga dëshmitarët që ka përcjellë “shtegtimet” e partive maqedonase nga së afërmi, në një prononcim për Indeks.mk thotë se VMRO-DPMNE-ja e tanishme nuk ka ideologji.

“Në vitet 90-ta pjesa më e madhe e VMRO-DPMNE-së në krye me Dosta Dimovskën, kanë qenë me ideologji pro-bullgare si vazhdimësi e platformës së Vanço Mihajlovit. Kjo ka qenë lufta politike e VMRO-DPMNE-së kundër serbizimit të maqedonasve dhe shpalljes së pavarësisë së shtetit. I kundërviheshin idesë pro-serbe me në krye Gligorovin. VMRO-DPMNE e tashme nuk ka ideologji. Unë i kam mbështetur ata në pikat e tyre kombëtare kundër jugosllavizmit sepse maqedonasit atëherë kanë qenë në rrezik të asimilimit serb. Sot ata kanë platformë labile dhe të paqëndrueshme dhe nuk dinë se si të dalin nga balta, janë kapur për fijen anti-bullgare. Nga ana tjetër Bullgaria e ka humbur krejt toruan e nuk ka ide si ta përfundoje anti-maqedonizmin”, deklaroi Halili për Indeks.mk