Skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë e ngarkuar nga shumë parti të cilat bëhen të ashpra vetëm në procese zgjedhore por që në fakt beteja e tyre politike është për pozicion e të qenit i dyti, pasi që pozitën e të parit ndër vite e sundon BDI dhe Ali Ahmeti, shkruan Indeks.mk
“Kjo i ka dhënë BDI-së luksin e qeverisjes në gjithë këto vite dhe kjo nuk i ka bërë mirë partisë së Ahmetit për ta korrigjuar pushtetin e tyre absolut për njëzet vjet. BDI rrallë ndonjë rast ka pësuar edhe goditje por ka arritur të rimëkëmbet menjëherë. Forca e këtij subjekti buron në konsolidimin e partisë edhe kur dalin zëra kundër brenda llojit dhe ato bashkohen në momente të duhura në një front të vetëm drejt fitores së radhës”, deklaroi gazetari Urim Saliu për Indeks.mk, duke folur për pozitën e pakontestueshme të BDI-së në elektoratin shqiptar përballë gjitha partive tjera shqiptare.
Saliu thotë se opozita nuk e ka këtë mënyrë veprimi. Sipas tij, ata po luftojnë kush do mbetet forca e dytë politike dhe ashpërsitë ato më shumë i kanë ndërmjet tyre se sa me BDI-në.
“Në të shumtën e rasteve në vend që ata ta atakojnë pushtetin e partisë së Ahmetit, ata bëhen pjesë e qeverisjes me ta. Në Maqedoninë e Veriut është rasti i vetëm kur partitë opozitare atakojnë pushtetin dhe parti të caktuara dhe më pas bëhen bashkë me ta në një qeverisje. Forca e vërtetë e BDI-së mbetet tek unifikimi për kaq kohë ndërsa tek opozita kemi vetëm përçarje që shkaktojnë edhe çarje më të mëdha deri në lindjen e fraksioneve dhe kjo i zhbën më pas. BDI kundrejt partive tjera është gjithnjë një hap përpara dhe opozita duhet ta kuptojë se kjo forcë e madhe politike nuk mundet duke qëndruar në radhë se kush do bëhet pjesë e qeverisë me të”, potencoi Saliu.
Gazetari dhe opinionisti Aco Kabranov thotë se BDI jo vetëm në sondazhe, por edhe në 20 vitet e fundit është partia e cila në mënyrë plebishitare i fiton kundërshtarët e saj politik.
“Kjo është kështu jo për faktin se BDI është tepër e fuqishme, por për shkak se partitë kundërshtare të saj në elektorat janë tepër të dobëta. Mendoj se BDI do të fiton edhe në zgjedhjet e ardhshme pasi që ka përballë parti opozitare të cilat ende nuk janë të rritura që ta rrëzojnë nga froni”, nënvizoi Kabranov.
Së fundmi, Instituti për hulumtime politike nga Shkupi, ka realizuar një hulumtim telefonik në periudhën prej 11 deri më 14 dhjetor, duke kërkuar mendimin e gjithsej 1117 qytetarëve në nivel republikan. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka qenë lideri që ka marrë më shumë mbështetje nga pjestaret e populli shqiptar, ndërsa BDI si subjekt politik dukshëm është para gjitha partive politike shqiptare së bashku në bazë të të dhënave të sondazhit, që pasqyron edhe mbështetjen faktike në terren.(Indeks.mk)