Dy opsionet e shpëtimit të Mickoskit nga izolimi!

Partitë më të mëdha në pushtet,LSDM dhe BDI, si dhe partitë më të vogla të koalicionit qeveritar dhe partitë opozitare shqiptare, tanimë kanë bërë të ditur se do të mbështesin ndryshimet kushtetuese për të mos penguar rrugëtimin euro-integrues të Maqedonisë së Veriut.

Indeks.mk nga burime partiake mëson se ekzistojnë dy opsione të mundshme për mbështetje të ndryshimeve kushtetuese edhe nga deputet të opozitës të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja.

Opsioni i parë është që opozitarja VMRO-DPMNE të mbështes ndryshimet e nevojshme kushtetuese, duke kërkuar garanci nga ndërkombëtarët se Bullgaria nuk do të kërkojë ndryshime tjera gjatë rrugëtimit të vendit drejt BE-së. Nëse merr një garanci të tillë, Mickoski do ta ketë më lehtë para elektoratit të tij për të arsyetuar mbështetjen për ndryshimet kushtetuese. Sipas asaj që flitet në qarqe të politikës në Shkup, VMRO-DPMNE do të marrë një “garanci” të tillë.

Opsioni i dytë është në rast se VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimet kategorike kundër ndryshimeve kushtetuese, atëherë një grup deputetësh nga koalicioni i bllokut opozitar të cilët janë pjesëtarë të partive më të vogla, por edhe ndonjë deputet nga vetë VMRO-DPMNE, do të mbështesin individualisht ndryshimet e kërkuara kushtetuese.

Zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva për Indeks.mk thotë se gjëja e vetme për të cilën duhet të këtë kompromis janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Qeveria e Kovaçevskit po e gënjen opinionin se ka shumicë për ndryshimet kushtetuese, por pasi që u pa se nuk ka asgjë nga ajo po tenton ta de-fokusojë vëmendjen nga kjo temë. E vetmja gjë për çka duhet të ketë kompromis janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që kjo Qeveri e paaftë të largohet sa më shpejtë”, deklaroi Miteva.

Opozitarja Aleanca për Shqiptarët (ASH) është deklaruar se pavarësisht se a bëhet ose jo pjesë e shumicës parlamentare ajo do të mbështes ndryshimet Kushtetuese pa kushte. Kreu i kësaj partie Arben Taravari ka thënë se edhe pse ka pasur sinjale për futjen e ASH-së në qeveri për momentin nuk ka asgjë konkrete dhe se ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i hapur rrugë procesit integrues nuk do t’i kushtëzojnë. Edhe partitë tjera më të vogla shqiptare janë shprehur pro ndryshimeve kushtetuese.

Ambasadori francez në Shkup, Siril Baumgartner, në intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se nëse Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut nuk rishikohet, procesi i integrimeve evropiane do të ndalet për momentin, derisa kjo situatë të ndryshojë. Pas hapjes së negociatave, është faza e parë, skriningu. Ambasadori përmendi se gjatë shqyrtimit vitin e ardhshëm, kushtetuta do të duhet të të ndryshohet, në mënyrë që të kalohet në fazën tjetër. (Indeks.mk)