Në një intervistë për portalin arsalbanica.com, historiani JusufBuxhovi u përgjigjet pretendimeve greke dhe autorëve sllavë për ta përvetësuar figurën e Skënderbeut.
Sipas tij, kjo nuk është gjë e re dhe ka për qëllim që shqiptarëve t’u rrënohet shtylla kryesore identitare kulturore dhe historike, që i lidh me përkatësinë perëndimor në rrethanat e pushtimeve osmane, kur ai shfaqet si i vetmi që nisi luftën kundër tyre.
Në vazhdim, disa thekse të shkëputura nga intervista që Jusuf Buxhovi ia dha publicistit Daut Dauti.
“…Ka shumë arsye pse ndodhë kështu. Por, këtu duhet përmendur dy faktorë ndërlidhës që mundësojnë këtë dukuri. Ato janë politike dhe kuazishkencore. Faktori politik në njëfarë mënyre është i natyrës parashtetërore, pararendës në këtë ecuri, meqë në hapësirën europiane, nga fillimet e shekullit XIX e këndej, i mbështetur mbi konceptin sllavo-ortodoks të Rusisë, u ka krijuar platformën shteteve (Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë) në procesin e shembjes së Perandorisë Osmane. “Naçertanja” serbe, “Megaloidea” greke dhe “Lëvizja bullgaromadhe” këtyre shteteve ua kanë përcaktuar planimetrinë hegjemoniste, që kryekreje është mbështetur në grabitjen e etnisë shqiptare, asokohe nën Perandorinë Osmane e shkapërderdhur në katër vilajetet evropiane (të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës). Krijimi i këtyre shteteve mbi këto platforma si dhe gjenocidet e kryera prej tyre ndaj popullatës shqiptare gjatë dhe pas shembjes së Perandorisë Osmane, është dashtë ta kenë edhe “mbulesën historike” dhe shpirtërore, të mbështetur mbi mite dhe falsifikime të njohura, siç është ai i “shtetit mesjetar serb” në Kosovë, Kishës ortodokse serbe në Kosovë, mandej doktrina helene e megaloidesë “me tapi nga antikiteti”, e të ngjashme. Kuazishkenca, në Beograd, Athinë, Moskë dhe përreth me metodat e njohura të falsifikimeve të dokumenteve kishtare të rishkruara kryesisht në shekullin XIX, thuajse i kanë përjashtuar shqiptarët nga historia europiane, paçka se ata janë në themelet e antikitetit të saj dhe faktor tepër i rëndësishëm gjatë Bizantit dhe pranimit të krishterimit në Ilirik tetë shekuj para invazuesve sllavë. Kështu, një popull me histori të ngjeshur nga antikiteti, është zhveshur nga historia e tij mijëvjeçare për t’u kthyer në një “turmë të mjegulluar ardhacakë” bashkë me osmanët, në ndihmesë të ekspansionizmit osman!
Pa u zgjatur në stereotipat e këtyre falsifikimeve që erdhën dhe vazhdojnë të jenë të tilla nga Akademia Serbe e Shkencave, Akademia Greke dhe ajo ruse e së voni edhe nga ajo maqedonase, kjo kornizë kuazishkencore, me ndonjë përjashtim, vazhdon të dominojë në qarqet shkencore botërore! Shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe realitetet e reja që u krijuan prej saj, jo vetëm që nuk i ndaluan këto trendë antishkencorë, por ato u shtuan me daljen në skenë të faktorit politik shqiptar në anën e Perëndimit (me dy shtete: Shqipëri, Kosovë) dhe të shfaqjes së tyre si faktor i pakapërcyeshëm në shtetin e Maqedonisë, ndonëse me statusin e pakicës. Ky kapërcim historik është shqetësues për kundërshtarët e shqiptarëve, të cilët i frikësohen faktorizimit të tyre rajonal dhe proceseve tashmë të pandalshme integruese të tyre në rrafshin kombëtar në përputhje me rrethanat e reja, që doemos duhet të jenë demokratike dhe në pajtim me perëndimorët dhe interesat e tyre gjeostrategjike dhe gjeopolitike në rajon. Andaj, ky zhvillim synohet të pengohet ose parandalohet disi duke i paraqitur si “grabitqarë” të historive “të huaja”, lavdisë dhe heronjve “të huaj”, siç paraqiteshin dje si “grabitqarë të tokave të huaja”! Nuk është aspak e rastit pse Skënderbeu shfaqet herë hero serb, herë bullgar, herë maqedonas e së voni edhe grek! Nuk është e rastit pse mbi këtë hipotekë, Kosovës i janë përvetësuar objektet e kultit të krishterë (manastiret ortodokse, si ai i Deçanit, të Pejës, Graçanicës e të tjera) të mbrojtura madje edhe nga UNESC-o si “trashëgimi shpirtërore serbe”! Mbi këtë hipotekë bëhen përpjekje që, me përvetësimin e figurave të tyre madhore historike, shqiptarët të dezintegrohen nga brenda, pra të humbin besimin te personalitetet e tyre të lavdishme historike mbi të cilat u ngrit shqiptarizmi dhe platforma e Rilindjes Kombëtare, e cila edhe më tutje mbetet formulë e ridefinimit të neoshqiptarizmës në rrethanat e reja…
…Këto përvetësime dhe denigrime nuk kanë gjithaq të bëjnë me të kaluarën, por me frikën nga e ardhmja shqiptare, e bashkimit të tyre politik dhe shtetëror mbi platformën e historisë së përbashkët mijëvjeçarë. Ajo që këto ditë, u tha nga një urim që Shqipërisë i erdhi nga Ministrisë së Jashtme e Greqisë rreth Skënderbeut “hero i përbashkët”, nuk është urim, por një mesazh për ndërhyrjen historike te grekëve në historinë shqiptare, që do të thotë se shteti shqiptar vihet në pengun e Greqisë përballë çfarëdo ndryshimi.
Avazi i mohimit të shqiptarëve në Maqedoni nga Akademia Shkencave Maqedonase dhe disa historianë përreth, është shumë më drastik nga përvetësimet e natyrës diplomatike greke të Skënderbeut, ngaqë, tek e fundit, Shqipëria është shtet sovran dhe në NATO, gjë që askush nuk mund t’ia rrezikojë ekzistencën. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni, përkundër asaj që paraqesin një popullatë autoktone, thuajse e barabartë me atë maqedonase, ende nuk trajtohen si popull shtetformues, po si pakicë “e shkëputur nga etnia”, pikërisht siç trajtohen edhe nga Akademia e Shkencave Maqedonase! Ky diskurs manifestohet në realitetin shoqëror, institucional dhe politik, meqë barazia kushtetuese, që u takon sipas referendumit të vitit 1992, nga politikanët e papërgjegjshëm shqiptarë, manipulohet me “barazinë ligjore të gjuhës shqipe” në përputhje me varësinë e numrave! Ky tretman kushtetues, edhe përfaqësimin politik të shqiptarëve në strukturat qeveritare në të gjitha nivelet, biznese e të tjera, nuk e përkthen në barazi faktike politike dhe institucionale pa komponentin e barazisë kushtetuese në preambulën e saj, pos që ata i kthen në instrument të politikës maqedonase për interesa të veta!
… Nuk është këtu puna që nuk dimë të mbrojmë Skënderbeun, kur atij prej kohësh historia europiane dhe botërore ia ka dhënë vendin e vet si “kryqtar i krishterimit” dhe “zot i Arbrit”. Puna është që politika shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, prej kohës nuk po sillet në përputhje me atë që përfaqëson figura historike e Skënderbeut, pra identitetin tonë historik dhe shpirtëror perëndimor, që ishte edhe në qendër të shqiptarizmit nga koha kur u kthye në program të lëvizjes kombëtare për pavarësi. Sot, bota shqiptare, ndonëse me dy shtete të pavarura (Shqipërinë dhe Kosovën) ndodhet në sferën e Perëndimit (Shqipëria madje në NATO), politikisht dhe kulturalisht nuk po shfaqë sa duhet këtë përkatësi. Madje, në disa raste, në aleanca të fshehura me islamin politik, po sillet në petkun e Orientit! Kjo ka bërë që të në disa pjesë, ku shihet ndikimi i hegjemonizmit serb (në Luginë të Preshevës, Sanxhak dhe në disa ambiente shqiptare në Maqedoni), të shfaqet dukuria e konvertimit të identiteti kombëtar në atë fetar, pikërisht siç e ka kërkuar edhe Çubrilloviqi në Elaboratin e vitit 1937! …”
(Intervista e plotë këtu: http://www.arsalbanica.mk/jusuf-buxhovi-pervetesimi-i-skenderbeutmeton-tua-marre-shqiptareve-emblemen-shpirterore/)