Tetova ka mbi 500 qenë që shëtitën të lirë duke rrezikuar qytetarët, ndërkaq shoqata “Amos” kujdeset vetëm për 83 prej tyre, ndërkaq kryetari i Tetovës zgjidhjen e sheh te një stacion i ri ku do të përkujdeset një vullnetar
Numri i qenve endacak nëpër rrugët e Tetovës vazhdon të shtohet, me këtë edhe raportimet në polici për sulme ndaj qytetarëve. Sipas vlerësimeve në qytet ka 500 qenë endacakë, por aktualisht Komuna e Tetovës ka nënshkruar marrëveshje me shoqatën “Amos” për t’u kujdesur për 83 prej tyre.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, thotë se me këtë tender nuk do të zgjidhet problemi në qytet, por paralajmëroi se së shpejti do të fillojnë aktivitetet për trajtimin e këtyre kafshëve të pastreha në baza vullnetare.
“Ka një propozim me të cilin shpresojmë të kemi një zgjidhje më serioze të problemit. Bëhet fjalë për një të interesuar që i do qentë endacakë, ai kërkon që t’i sigurojmë një hapësirë, ku do të investojë në një stacion për përkujdesje të qenve endacakë, për t’u kujdesur për ta dhe e gjithë kjo në baza vullnetare. Të shpresojmë që deri në fund të muajit të kemi një zgjidhje për lokacionin, të na japë një projekt paraprak që të mund të dalim para opinionit me një zgjidhje afatgjatë. Partneri aktual me cilin ne kemi kontratë për përkujdesje për qentë endacak do të punojë ende deri në fund të zbatimit të kontratës, e cila duhet të kujdeset për 83 qenë”, ka deklaruar Kasami. (Indeks.mk)