​Konstituohet Komisioni Parlamentar për Vettingun

Sot është mbajtur mbledhja konstituive e Komisionit Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, apo i njohur si procesi i Vettingut në sistemin e drejtësisë. Në këtë takim u diskutua edhe lidhur me planin e veprimit të Komisionit.

Kryetari i këtij komisioni, Kujtim Shala, derisa shpalosi hapat që duhet ndërmarrë theksoi se për planin e punës duhet të presin një draft nga administrata dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ai tha se për këtë proces duhet bashkëpunim me qeverinë, presidencën dhe institucionet e drejtësisë.

“Pas adaptimit të teksteve te amendamenteve qe propozojmë ne dhe qe besoj se aty nuk kemi shumë punë se paku 30 deputetë të Kuvendit mund të propozojnë amendamente kushtetuese që i dorëzohen Kuvendit dhe kryetari i Kuvendit në seancën e radhës e njofton Kuvendin me propozimet dhe kryetari i Kuvendi jo më vone se 7 ditë nga seanca ia dorëzon Gjykatës Kushtetuese ndryshimet kushtetuese të propozuara pas marrjes së vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, Komisioni për Legjislacion brenda 5 ditëve i miraton dhe i dërgon për seancë propozimet. Amendamentet miratohen me 2/3 përfshirë edhe komunitetet jo shumicë. Ndryshimet e kushtetutës hyjnë në fuqi pas miratimit të Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Adnan Rrustemi nga LVV-ja, shprehu gatishmërinë dhe konsensusin për këtë proces me qëllim për t’i dhënë vendit një sistem efikas të drejtësisë.

Blerta Deliu nga PDK-ja, tha se kanë kërkuar qe një proces kaq i rëndësishëm t’i kthehet Kuvendit për atë qe ka kërkuar Venecia.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica, tha se për procesin e Vettingut nuk ka kohë për të humbur, por që krahas punës në komision duhet që politika të kërkojë një formë për të siguruar votën e Listës Serbe qe nevojitet për miratimin me 2/3 të ndryshimeve kushtetuese për procesin e Vettingut.

Ndërsa deputeti i LVV-së, Dimal Basha, nuk u pajtua me emërtimin e këtij komisioni./KP/