Rama: Hekurudha Tiranë-Durrës përfundon në mars të 2024-ës

Hekurudha Tiranë-Durrës konsiderohet si zgjidhja më e mirë për të udhëtuar drejt qytetit bregdetar dhe portit më të madh të vendit, sikundër edhe drejt aeroportit të Rinasit.

Ndërsa vijojnë punimet në kantierin e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh në rrjetet sociale se hekurudha pritet të përfundojë në mars të vitit 2024.

Hekurudha është e gjatë 39 km, ku 34 km i përkasin gjurmës ekzistuese Tiranë-Durrës, që po rindërtohet e modernizohet dhe 5 km janë gjurmë e re nga “Megatek” deri në aeroportin e Rinasit.

Distanca nga qendra e Tiranës deri në aeroportin e Rinasit do të përshkohet për vetëm 12 minuta, ndërsa udhëtimi Tiranë-Durrës do të zgjasë 22 minuta.

Durrësi konsiderohet nyja më e rëndësishme, pasi prej Durrësit do të nisen rrugët e tjera hekurudhore që kanë të bëjnë me Korridorin 8./atsh/