Fenomene: E Majta dhe ngathtësia e BE-së, kërcënojnë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut!

Partia e “E majta” e Dimitar Apasievit mund të kërcënojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, nëse rritet gjithnjë e më shumë dhe bëhet faktor i pashmangshëm në Parlament, thotë në një prononcim për Indeks.mk, politikologu Blagojçe Atanasoski.

“Për të mos ndodhur një aksident i tillë, BE nuk duhet të luajë më ‘nxehtë e ftohtë’ me integrimin evropian të Maqedonisë. Rritja e partisë populiste ultra-radikale dhe të djathtë me emrin nominal E Majta, vjen në kohën kur qytetarët e Maqedonisë, veçanërisht maqedonasit etnikë, janë tepër të pakënaqur me qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj integrimeve evropiane. Së pari, bllokada dhjetëvjeçare e Greqisë ndaj NATO-s dhe BE-së, e cila nisi me marrëveshjen e Prespës (përsëri e papëlqyeshme për maqedonasit etnikë) dhe tani me të ashtuquajturin propozim francez që futi shantazhet nga Sofja zyrtare, krijoi një situatë “të frytshme” në terren për rritjen e eurofobisë dhe në kurriz të asaj rusofilie, të cilën E Majta e kapitalizon me sukses politik. Nuk ka asnjë mënyrë për të hequr qafe ndikimin rus, të personalizuar përmes personazhit dhe veprës së Dimitar Apasiev, përveç në një mënyrë: që BE të respektojë vlerat e saj, të fillojë negociatat me Maqedoninë”, deklaroi Atanasoski.

Ish-ambasadori Nano Ruzhin vlerëson se rritja e ekstremizmit në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan në përgjithësi, si dhe në Evropë, është një fenomen aktual.

“Çështja se si të mposhtet populizmi dhe ekstremizmi politik është një pyetje komplekse, por para së gjithash, ndaj saj duhet të udhëhiqet një betejë, siç është ajo kundër lajmeve të rreme. Të ketë transparencë në politikë, të luftohet korrupsioni, të bëhen reformat në gjyqësor etj. Janë faktorë të shumtë që mund të ndihmojnë në tejkalimin e kësaj dukurie negative në shoqëri”, deklaroi Ruzhin për Indeks.mk

Fatmirësisht, shton ai, tek ne nuk kemi nacionalizëm ekstrem ose është simbolik.

“Nacionalizmi politik shpesh mund të përdoret në mënyrë ekstreme ose si pasojë e nacionalizmit ekstrem të majtë që mund t’u drejtohet komuniteteve etnike apo vendeve të tjera, politikanëve të caktuar, elitave shoqërore etj.” – nënvizoi Ruzhin.

Ish-deputeti Zudi Xhelili vlerëson se opozita maqedonase nuk zgjedh mjete për të realizuar synimet e saj, madje duke e bllokuar edhe punën e shtëpisë ligjvënëse – Parlamentit.

“Opozita nuk zgjedh mjete për t’i realizuar pikësynimet e veta, marrjen e pushtetit qoftë edhe me bllokada të punës së institucioneve, siç është rasti me Parlamentin. Për të pasur ecuri të zhvillimeve institucionale duhet kompromis mes palëve. Për ngërçet e shpeshtuara politike padyshim se fajtor janë si pozita ashtu edhe opozita. Në gjithë këtë situatë korrektësi ka treguar vetëm opozita shqiptare. Sa i përket partisë E Majta, do të ngelë parti me qëndrime të prera anti evropiane, pro ruse dhe pa perspektivë, janë duke vepruar në kohë dhe vend të gabuar, sepse kanë ide dhe plane që e orientojnë vendin në drejtim të gabuar”, thotë Xhelili.(Indeks.mk)