Mijëra qytetarë serbë kanë zhvilluar sot një protestë në veri duke kundërshtuar arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, i cili është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e “Sulmit terrorist” në zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore në Mitrovicën e Veriut.
Zhvillimet atje i ka përcjell edhe gazetari i Klan Kosova Haris Ademi.
Ademi tha në emisionin Info Magazine në Klan Kosova se ka pasur më shumë se 1 mijë e 500 protestues.
“Nuk janë 1500 në bazë të asaj që kemi parë. Rruga nga “Shkëmbi i Dudës” e deri në barrikada në Rudar ka qenë e bllokuar totalisht nga veturat dhe njerëzit që kanë ardhur nga jugu, pra nga qytetet e tjera”, tha Ademi.
Ai theksoi se një nga arsyet se pse është krijuar kjo situatë në veri janë edhe targat por se qytetarë të shumtë serbë kanë targa RKS.
“Është një situatë interesante sepse e gjithë situata është krijuar për shkak të targave kurse sot plot qytetarë serbë kanë pasur targa “RKS” 01, 05, 06, pra nga qytetet e Kosovës”, theksoi ai.