Associated Press raporton për sulmin ndaj ekipit të Klanit në Veri (VIDEO)

Associated Press ka raportuar sot për sulmin ndaj ekipit të Klan Kosovës në veri të vendit.

Ekipi i Klan Kosovës u sulmua me gurë nga një grup personash të maskuar në pjesën veriore të Kosovës, ku lëndime morën gazetarja Qëndresa Bellagoshi dhe shoferi Elsad Sinani, si dhe automjeti i Klanit mbeti i dëmtuar.

“Një ekip i gazetarëve u sulmua të hënën nga disa sulmues të panjohur në fshatin e Zupçit në Veri të Kosovës, ka thënë policia,” shkruan AP-ja.

“Oficerët policorë thanë që një i dyshuar gjuajti gurë në automjetin e gazetarëve, duke lënduar dy persona dhe duke e dëmtuar automjetin”.

“Ata kanë shtuar që hetimet mbi incidentin po vazhdojnë. Gazetari Drin Demiri tha që ‘lëndime të lehta kanë pësuar shoferi Elsad Sinani në sup, dhe gazetarja Qëndresa Bellagoshi, e cila ishte e ulur në ulësen e përparme të pasagjerit, në veturën pranë nesh, mori një lëndim në sy’”.

Sulmi ndodhi në Zupç, afër barrikadës serbe në këtë pjesë të Zubin Potokut, derisa ekipi i përbërë prej katër personash ishin në veturën zyrtare të televizionit.

Të lënduarit u trajtuan në spitalin rajonal të Mitrovicës, ndërsa rasti u raportua edhe në Policinë e Kosovës.

Ky është rasti i dytë që një ekip i Klan Kosovës sulmohet në veri. Ndaj ekipit të Klanit pati sulm edhe më 19 dhjetor, njofton Klankosova.tv