-Dy qëllime të realizueshme: E para, një Maqedoni jashtë binarëve të BE-së dhe në “kolosekun” e Putinit, dhe e dyta, futja e ndikimit të Levicës dhe VMRO-së te votuesit shqiptarë ku Besën do ta kishte si një “faktor” për të rritur ndikimin e tyre politik
Shkup, 26 dhjetor/indeks.mk/-VMRO kërkon zgjedhje që të votojë ndryshimet. Të njëjtën gjë e kërkon edhe Lëvizja Besa!
Levica kërkon zgjedhje, të njëjtën gjë e bën Besa.
Çfarë e lidh Lëvizjen Besa me këto dy parti, kur dieht se në opinionin e vendit dhe atë ndërkombëtar, gjithnjë e më tepër po diferencohen si antiperëndimore dhe ekstremiste?
VMRO-ja ka arsyet e veta për të qenë kundër. Don të kthehet në pushtet, duke menduar ”dobësinë” e LSDM-së. Ajo ka dhe kauzën, “kombëtare” le ta quajmë, që është kapur për elemente “problematike” historike e identitare me Bullgarinë. Po, por edhe po të ishin të vërteta këto çështje, ato janë brenda maqedonase, çfarë ka Besa me këto motive?
Rreshtimi me këto dy parti, së pari, është një zik-zak i panatyrshëm për partinë që u faktorizua përmes listës së LSDM-së në zgjedhjet parlamentare. Në këtë kontekst, pa motiv të fortë, prishja e këtij “dilli”, vetëm pse pa një shans tjetër mbijetese duke u rreshtuar me opozitën që kërkonte rrëzimin e qeverisë, e bën si thotë populli “bukëpërmbysëse” në njërën anë, dhe profitere në anën tjetër.
Edhe më problematike e bëjnë këtë saltomortale të BilallKasamit, kur deshi s’deshi(ja po themi se nuk e do!), është në shoqëri me një Levicë të Apasievit, qartësisht të profilizuar në çdo pikëpamje si antiperëndimore dhe antishqiptare!
Prandaj, çka do të arrinte Lëvizja Besa me koketimin me këto dy parti në një “projekt të përbashkët”?
Nëse është për ta larguar Maqedoninë V. nga rruga drejt EU-së, mund t’ia arrijë.
Nëse është që ta faktorizojë VMRO-në dhe Levicën në elektoratin shqiptar, edhe kjo mund të ndodhë.
E po gjithçka është e mundur, por çfarë do të ishte rezultati?
E para, një Maqedoni jashtë binarëve të BE-së dhe në “kolosekun” e Putinit që dëshiron të futë pyka përçarjeje mes BE-së!
E dyta, futja e ndikimit të Levicës dhe VMRO-së te votuesit shqiptarë ku Besën do ta kishte si një “faktor” për të arritur qëllimet e veta. Nëse kujtojmë shfaqjen e Lëvizjes Besa dikur, kur e trajtonin si parti të një ekstremi të mundshëm fetar, tash kjo do të ishte edhe një salto mortale tjetër pos asaj të ikjes nga LSDM-ja, në një parti që ndihmohet në mënyrë të ndërsjellë, me parti të orientimit nacionalist, shovinist dhe majtist.
Çfarë të thuhet tjetër, pos t’i dëshirojmë “rrugëtim të mbarë” në këtë shoqëri, pa të shohim ku do të mbërrijë. Përvojat e koketimit të opozitarëve shqiptarë kohëve të fundit, tregon defaktorizimin e tyre dhe zbehjen e imazhit në sytë e votuesve shqiptarë që nuk i kapërdijnë assesi ideologjizmat ekstremiste, gjë që me gjasë u pa paksa me vonesë prej tyre, por e bënë një distancim dhe është çudi që Besa dëshiron të marrë bajrakun e dështuar pikërisht pas kësaj përvoje të hidhur!