Paralajmërimi i VMRO-DPMNE-së për vazhdimin e bllokadës së punës së Parlamentit janë sinjal se edhe në vitin 2023 vendi do të ballafaqohet me krizë institucionale, si rezultat i mosmiratimit në kohë të ligjeve dhe mosfunksionimit të komisioneve të ndryshme parlamentare, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend. Sipas tyre, ky bllokim do t’u kushtojë shumë shtrenjtë qytetarëve.
“Inatet politike jo vetëm tani por vazhdimisht kanë dëmtuar interesat e qytetarëve të këtij vendi dhe si rezultat i kësaj ne vazhdojmë të mbetemi një vend me ekonominë më të varfër dhe me një infrastrukturë të shkatërruar. Hapja e negociatave për anëtarësim në BE, do të jetë një hap i mirë, por nuk do të zgjidhë menjëherë problemet e qytetarëve të grumbulluara me vite të tëra. Unë mendoj se lufta kundër krimit, korrupsionit dhe nepotizmit do të jenë masat më efikase dhe më efektive për të nxjerr vendin nga kriza ekonomike dhe politike, sepse kjo luftë do të prekë të gjitha palët në vend”, deklaroi analisti politik Berat Azizi për Indeks.mk
Politikologu Petar Arsovski thotë se me këtë vendim politik opozita do të bllokojë ato projekte në Parlament për të cilat është e nevojshme pjesëmarrja e opozitës.
“Do të bllokohen ato projekte për të cilat është e nevojshme pjesëmarrja e opozitës, veçanërisht ndryshimet kushtetuese nuk do të mund të miratohen nëse VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin e tanishëm, por edhe projektet tjera do të bllokohen në komisione parlamentare në të cilat merr pjesë opozita. Kështu që qytetarët do ta paguajnë faturën e kësaj bllokade të Mickoskit. Sipas numrave në Parlament vlerësojë se kjo do t’i kushtojë edhe VMRO-DPMNE-së. Në parim qytetarët nuk mbështesin bllokada, mbështesin opozitë e cila në veprimin e saj politik është konstruktive dhe nuk pengon zhvillimin e standardit jetësor të qytetarëve”, deklaroi Arsovski për Indeks.mk
Për momentin, shton ai, ne kemi mbi 400 milionë euro të bllokuara për shkak të fërkimeve politike.
“Stacioni filtrues në Shkup i cili kap vlerën prej 130 milionë eurosh, po ashtu në një mënyrë apo tjetër është i bllokuar për shkak se opozita nuk mund të merret vesh mes vete. Do të paguajë çmim politik edhe VMRO-DPMNE nëse qytetarët e përjetojnë veprimin e saj si jo konstruktiv”, nënvizoi Arsovski.
VMRO-DPMNE-ja do të vazhdojë me bllokimin aktiv të Parlamentit edhe pas vitit të ri. Nga kjo parti thonë se do të mbështesin vetëm nismat e mira që janë në interes të qytetarëve.
“Të gjitha ligjet të cilat nuk janë në të mirë të qytetarëve dhe janë në drejtim të përfitimit të individëve në ekzekutiv do të jemi këtu këmbëngulës që t’i ndalim kurse ata që mund t’i përmirësojmë, me amendamente do t’i përmirësojmë. Sigurisht, është fakt, se zgjidhjet ligjore të cilat mendojmë se janë të mira edhe i kemi mbështetur”, tha Dajanço Eftimov, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja vlerëson se qëllimi i opozitës është radikalizmi i gjendjes në Parlament dhe jo përmirësimi i përmbajtjes së ligjeve.
“Këtu aspak nuk bëhet fjalë për qëllim të mirë dhe konstruktiv për mbështetjen e disa zgjidhjeve ligjore, por bëhet fjalë për pengmarrje të Hristijan Mickoskit nga Dimitar Apasiev. Këtë shpesh e flasim në periudhën e kaluar. Kjo është kështu sepse Mickoski duke mos pasur ku të shkojë me atë; thuaje, tërhiqu dhe kthehu tre hapa pas, dëshiron ta kopjojë Dimutar Apasievin në disa veprime të tij duke dhënë mundësinë që gjendja e punës së Kuvendit të radikalizohet”, deklaroi Martin Kostovski, LSDM.
VMRO-DPMNE-ja filloi bllokimin aktiv në 10 maj të këtij viti, si masë për të detyruar pushtetin të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ata bllokuan nisma të rëndësishme duke dorëzuar shumë amendamente dhe disa të tjera duke mos krijuar kuorum në plenare dhe në komisione.(Indeks.mk)