Ndryshimet kushtetuese do të hyjnë në procedurë parlamentare në muajin mars, ndërkaq deri në qershor pritet të miratohen, mëson portali Indeks.mk
“Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulë mund të miratohen deri në qershor, kur pritet të përfundojë edhe shqyrtimi evropian i legjislacionit të Maqedonisë së Veriut”, thonë burime diplomatike për Indeks.mk
Sipas po të njëjtit burim, përfundimi i skriningut nuk kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese.
Opozitarja VMRO-DPMNE është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese dhe ka bërë të ditur se nuk do t’i votojë. Nga kjo parti së fundmi janë shtuar zërat se lideri i saj do të kërkojë garanci se përveç këtyre ndryshimeve kushtetuese, Bullgaria fqinje nuk do të kërkojë ndryshime të tjera.
Burime diplomatike por edhe njohës të zhvillimeve politike në vend thonë se bashkësia ndërkombëtare nuk ka as detyrim as nevojë që t’ia plotësojë këtë dëshirë Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, pasi që në protokollin francezë mes Shkupit dhe Sofjes tashmë ekziston një garanci e tillë.
Politikologo Petar Arsovski thotë se VMRO-DPMNE do të paguajë çmim politik për veprimet e saj destruktiv. Sipas tij, garancitë që i kërkon VMRO-DPMNE se nuk do të ketë kërkesa tjera për ndryshime kushtetuese vetëmse janë të theksuara në propozimin francez i cili tanimë ka kaluar edhe filtrin parlamentar.
“Garancit se nuk do të ketë kërkesa tjera për ndryshime kushtetuese janë të theksuara në kornizën e bisedimeve e cila tanimë ka marrë vizë edhe nga Bashkimi Evropian. Në të qartë shkruan se këto janë ndryshimet e fundit kushtetuese. Ato ndryshime që kanë të bëjnë me kërkesat politike të Bullgarisë. Megjithatë kërkesa strukturore gjatë procesit të aderimit në BE mund të paraqiten edhe shumë”, deklaroi Arsovski për Indeks.mk
Bullgaria këtë verë e hoqi veton për fillimin e negociatave me BE-në pasi pranoi propozimin francez, i cili ndër të tjera parashikon që kushtet bullgare të bëhen pjesë e obligimeve të Maqedonisë së Veriut ndaj BE-së. Në korrik të këtij viti dokumenti u miratua në Parlament që nënkupton përfshirjen e bullgarëve në Preambulë, por edhe luftën kundër gjuhës së urrejtjes, rishikimin e teksteve të historisë dhe garanton se vendi nuk ka pretendime territoriale.(Indeks.mk)