Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është shprehur “thellësisht i shqetësuar” me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe vartësve të tij, lidhur me, siç thonë, “vendimin ligjor” për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak, vendim i cili KPK-ja thotë se është marrë pas kërkesë së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
KPK-ja vlerëson që “reagimet e tilla të Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”.
“Po ashtu, KPK shpreh indinjatën e thellë me kërkesën e Kryeministrit Kurti për t’u informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq, nga se kjo përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxitë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij”, thuhet në reagimin e KPK-së, raporton Klankosova.tv.
Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se mbështet të gjitha vendimet e prokurorëve që janë të mbështetura në ligj, dhe iu bënë thirrje “për të vazhduar punën e tyre të pavarur, profesionalisht dhe të mos ndikohen nga asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni”.
“Ndërsa, Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij, KPK iu bënë thirrje të respektojnë punën e institucionit të pavarur të Prokurorit të Shtetit, ngase tentativat për ndërhyrje, do të mbesin vetëm si të tilla”, u tha në këtë reagim.
Kujtojmë se sot, Gjykata Themelore ia ka ndërruar masën e sigurisë ish-policit Dejan Pantiq, nga masa e paraburgimit në arrest shtëpiak.
Ai është akuzuar për veprën penale “Sulm kundër rendit kushtetues” dhe për “kryerjen e veprës terroriste”. /Klankosova.tv