Kjo renditje e realizuar nga Eurostat shpjegon deri-diku edhe shifrat e larta të flukseve turistike dhe numrin në rritje të vizitorëve si gjatë stinës së dimrit, ashtu edhe gjatë periudhës së verës. Maqedonia, së bashku me Shqipërinë dhe Turqinë renditen të fundit, sa i takon kostos së lirë për akomodim në hotele dhe restorant
Maqedonia e Veriut do të ishte një destinacion i preferuar për kalimin e festave të fundvitit. Së bashku me Shqipërinë dhe Turqinë, ato renditen të fundit, sa i takon kostos së lirë për akomodim në hotele dhe restorant. Ose e shprehur ndryshe, sipas mesatares evropiane, shpenzimet nominale për banor janë më pak sesa gjysma e mesatares evropiane. Kjo renditje e realizuar nga Eurostat shpjegon deri-diku edhe shifrat e larta të flukseve turistike dhe numrin në rritje të vizitorëve si gjatë stinës së dimrit, ashtu edhe gjatë periudhës së verës. Eurostat ka publikuar indeksin e çmimeve të restoranteve dhe hoteleve, të matura sipas fuqisë blerëse, ku si bazë krahasimi merret mesatarja e Bashkimit Evropian (BE=100).
Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shpenzimet nominale për banor për hotele e restorante në vitin 2021 në Maqedoni (dhe Shqipëri) ishin më pak se 190 euro. Që do të thotë se janë jo vetëm më të lirat në rajon, por edhe ndër më të lirat në Evropë, me 46.2% të mesatares evropiane. Shifrat për Kosovën mungojnë, por renditje të tjera tregojnë se niveli i çmimeve është pak më i lirë sesa Maqedonia dhe Shqipëria. Më e lira në Evropë është Turqia dhe kjo është arsyeja që prenotimet si gjatë verës ashtu dhe në periudha festash janë në numër të madh, pasi akomodimi dhe ushqimi në Turqi është më i liri në Evropë, me vetëm 42% të mesatares evropiane.
Më të shtrenjtat në rajon janë Mali i Zi, me rreth 57% të mesatares Evropian dhe Serbia dhe Bosnja me 55%. Shteti më i shtrenjtë në Evropë është Zvicra, ku hotelet dhe restorantet kushtojnë sa 168% e mesatares evropiane. Shpenzimet nominale për banor për hotele e restorante në vitin 2021, sipas Eurostat, në Bashkimin Europian ishin 1067 euro, ndërsa në Zvicër i kalojnë 2,200 euro. Në nivele të ngjashme me Zvicrën janë dhe shtetet nordike dhe Islanda, ku duhet të paguani 32-66% më shumë sesa mesatarja e BE. Evropa ka shumë alternativa, disa të lira, mesatare apo dhe shumë të shtrenjta. Më shumë sesa mesatarja duhet të paguani edhe në Belgjikë (123%), Francë (121%), apo Austri ( 116%). Në Itali, Angli, apo në Gjermani, çmimet e hoteleve e restoranteve luhaten rreth mesatares së BE. Në Qipro dhe Maltë treguesi zbret në rreth 90% të mesatares evropiane dhe në Greqi dhe Kroaci, luhatet në rreth 81-84%. Portugalia është një nga vendet më të lira të BE për të qëndruar në hotel dhe për të shkuar në restorante, me rreth 73% të mesatares evropiane.
Për disa vite me radhë kryeqyteti i Portugalisë, Lisbona, u rendit si një nga destinacionet kryesore të Evropës. Vendet e rajonit në përgjithësi janë ndër më të lirat në Evropë, ku akomodimi dhe ushqimi kushton mesatarisht sa gjysma apo më pak e mesatares evropiane.
430 MILIONË DOLLARË XHIRO NGA TURIZMI
Sektori i turizmit në dhjetë muajt e parë të vitit të arriti të kapë objektivin e vendosur, me 2.6 milionë fjetje, shifra këto që sipas Agjencisë për promovimin dhe mbështetjen e turizmit nënkuptojnë se Maqedonia e Veriut është destinacion për 4 sezone, sezon që po vazhdon dhe priten më shumë se 2.8 milionë fjetje deri në fund të vitit 2022. “Në hap me Evropën, vazhdon rimëkëmbja e sektorit turistik të Maqedonisë, në periudhën janar-shtator 2019/2022, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit, numri i turistëve në nivel botëror është – 37%, ndërsa Evropa dhe Maqedonia e Veriut është me -19%.
Vendi ynë është në top 10 destinacionet sipas fluksit valutor nga turizmi, sipas të dhënave të UNWTO (Organizata Botërore e Turizmit). Në tre tremujorët e parë të vitit 2022, hyrja valutore është 376 milionë dollarë nga xhiroja turistike, që është 25% më shumë se në vitin 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022”, deklaron drejtori i Agjencisë për promovimin dhe mbështetjen e turizmit, Ljupço Janeski. Sipas tij pritet që tejkalimi i objektivit për vitin 2022 të kapë shifrën e 430 milionë dollarë xhiro turistike. (koha.mk)