Nëse të thonë dy-tre veta se je i dehur, mbahu për gardhi! Ku të dish, ndoshta dhe je. Nëse jo i dehur, ndoshta je në ndonjë delir që s’je as vetë i vetëdijshëm!
Ka kohë që i thonë Kasamit një gjë, që shumëkush do të kishte thënë: ia bëjnë pr’inati!
I thonë, dhe ai s’dëgjon. Ka vendosur të rreshtohet me VMRO-DPMNE-në. Kjo do të ishte një e keqe më e vogël, sepse, do të thonë njerëzit, dje u bë faktor me votat e LSDM-së, sot shkon me VMRO-në, punë e madhe, në politikë nuk ka moral…
Por njerëzit i thonë, ka kohë, ej, shiko këndej, se ata me të cilët po shkon, nuk duan të na çojnë në Evropë! Për më tepër, e rreshtuar kundër Evropës është edhe Levica, dhe s’është ndonjë urtësi të ecësh në të njëjtën rrugë, kur dihet se ajo punon për një agjendë tjetër. Njëra agjendë kundër BE-së dhe NATO-s, e tjetra, e deklaruar qartë, pak të thuash, antishqiptare.
Prapë do të thotë ndonjë i paditur: ia kanë inati Kasamit, se ai di çka vepron.
Por, gjithë ajo që i është thënë ditëve të fundit, e bëni “ispatë” me gojën e vet. Tha me plot gojë, sigurisht i bindur, se kjo do të kalojë:
Tha, po, jam kundër BE-së!
Që të jemi të sinqertë, fjalia ishte kushtore: Jam kundër BE-së ku po na çon Bujar Osmani!
Vërtet, gjeniale!
Gjeniale, sepse populli kaherë e ka thënë atë fjalën e “për inat të nuses, le t’më vdesë djali”!
Ama duhet thënë troç, një “urtësi” e tillë ka dalë nga një vjehërr e keqe. Haxhuze, do të thotë populli.
Pra, që të mos e zgjerojmë shumë muhabetin me urtësitë popullore, ta analizojmë fjalinë kushtore të liderit të Besës.
Ai, dmth, është kundër Evropës, sepse është në shoqëri me ata që janë kundër saj?!
Apo, është kundër Evropës, sepse për të po punoka Bujar Osmani, ministër i jashtëm!
Ta thoshte këtë Apasievi, do të kishim thënë asgjë e re, asgjë jo normale. Sepse ai është edhe kundër BE-së edhe kundër NATO-s, e besa edhe kundër shqiptarëve. Po mos ia ka hëngër tezjahun Bujari si në atë meselen e ujkut me “kovaçin”?!
E, Bilall, Bilall…Kur ishe në krye të Lëvizjes Besa ende pa u përçarë(për përçarjen ta hodhën fajin ty bashkëpartiakët e atëhershëm), kur kishe dyshime për orientime e finansime të dyshimta, të kishin pyetur për orientimin fetar dhe kombëtar dhe shumëkush e kujton sikletin tënd kur mezi the se je “edhe shqiptar”!
Këto luhatje tuaja ideologjike apo të orientimit, ku je në gjendje të flijosh edhe orientimet strategjike të vendit dhe të shqiptarëve, për inate a për kalkulime makiavelsite, janë një “shej” i mirë identifikimi para votuesve tu dhe të shqiptarëve se ku dëshiron t’i çosh.
Shqiptarët kahmot e kanë zgjedhur rrugën nga Evropa, NATO, SHBA-të…nëse ti je kundër siç e the, thuaji qartë popullit për çka je!/indeks.mk