Pesë dhjetori i vitit 2022 do të mbetet një datë historike për botën e televizionit në Kosovë, kjo pasi që për të parën herë në këtë vend të vogël pak më shumë se dhjetëmijë kilometra katrorë, filloi transmetimin formati gjigant – Big Brother VIP Kosova.
Kush do të thoshte se do të duheshin plot 23 vjet prej nisjes së Big Brother-it të parë në botë që një “reality show” i tillë të arrinte në Kosovë dhe ku tjetër përpos në Klan Kosova?
Ani pse audienca e gjerë pati mundësinë që këtë program ta ndiqte që nga nata spektakolare e 5 dhjetorit, puna për këtë projekt kishte filluar kohë më parë.
Drejtori teknik i Big Brother VIP Kosova, Liridon Bahtijari ka treguar rreth bashkëpunimit me ekipin holandez të kompanisë “Banijay”, që aktualisht mban të drejtën ekskluzive mbi autorësinë e Big Brother.
Bahtijari ka zbuluar se ishin vizitat në Amsterdam, ato që më së miri pasqyruan seriozitetin e këtij formati televiziv dhe madhështinë e tij në të gjitha sferat realizuese.
“Bashkëpunimi me ekipin holandez ka qenë fantastik që në ditën e parë. Prej kur kemi zhvilluar takimin e parë në Amsterdam dhe e kemi parë nga afër se si ata e kanë zhvilluar ‘Big Brother’ dhe jemi prezantuar me pjesën teknike, një pjesë e të cilës ishte tërësisht teknologji e re”, ka thënë Bahtijari.
Kur njerëzit prezantohen me gjëra madhore e të papara më herët në vendin e tyre, jo rrallë herë lind frika për t’u përballur me to dhe ndoshta edhe ndjenja e hezitimit.
Por, televizioni Klan Kosova, tashmë i njohur si medium revolucionar në vend, ishte gati që edhe një herë ta rikonfirmonte moton e tij – “Jemi një”, duke e sjellë në mënyrë ekskluzive formatin Big Brother VIP Kosova.
“Në fillim ka qenë ai hezitimi sepse po shihnim diçka aq të madhe, diçka që se kishim bërë akoma, por ishim të gatshëm për sfida. Diçka që dikush e ka bërë, pse të mos e bëjmë edhe ne? Në bashkëpunim me ‘Film Partners’, e kemi realizuar në formën më të mirë të mundshme. Ka qenë një kombinim bilateral dhe një kolaborim epik”, ka thënë drejtori teknik i BBVK-së, Liridon Bahtijari.
Njëjtë si Bahtijari është shprehur edhe autorja dhe producentja ekzekutive, Yllka Sedllari – Hamiti, e cila ka thënë se nisja e Big Brother VIP Kosova ka shembur idenë se “Kosova nuk ka kapacitet të realizojë produksione të tilla”.
“Ka qenë e para herë që një format i tillë realizohet në Kosovë. Kjo ka bartur përgjegjësi e me raste edhe dilema, mirëpo është një sfidë e kaluar me sukses të jashtëzakonshëm”, ka thënë Sedllari – Hamiti.
“Kësisoj, BBVK ka thyer përfundimisht mitin se produksione të tilla nuk mund të realizohen në Kosovë. Prandaj, jam tejet krenare për punën e madhe të bërë nga ekipi gjigant i këtij projekti të Klan Kosova dhe ArtMotion”, ka shtuar ajo.
Producentja ekzekutive e projektit Big Brother VIP Kosova e ka quajtur nisjen e këtij formati televiziv “pikë kthese në tregun e medias” në vend.
“Nisja e sezonit të parë të ‘Big Brother’ nuk shënon një moment me rëndësi të karrierës për secilin nga qindra personat e përfshirë, por është një pikë kthese edhe për tregun medial kosovar në përgjithësi”, ka thënë ajo.
Nga puna kolosale e ekipit të BBVK, kalojmë pak tek kasti i këtij formati televiziv – që i dhanë dhe po vazhdojnë t’i japin shkëlqesinë e merituar.
Kasti i përbërë prej 14 konkurrentëve me laramani profesionesh e karakteresh i dha Big Brother VIP Kosovës, drejtimin e duhur drejt suksesit, tashmë të arrirë.
Drejtoresha e kastingut, Liberta Spahiu duket të ketë qëlluar në shenjë me përzgjedhjen e banorëve të shtëpisë më të përfolur të momentit.
Në natën e nisjes së spektaklit, në shtëpinë e “Vëllait të Madh”, ishin futur – Getoar Aliu i njohur me emrin skenik si Getinjo, Gresa Hoti, Edon Shileku apo Victoria Oëns, Artan Thaqi, Vivien Thano, Juliana Nura, MC Beka, Gjon Karrica apo Lugati, çifti Urim dhe Alisa, Andi Artani, Arta Selimi, Ana Kabashi, Arkimed Lushaj apo Stresi si dhe Shota Baraliu.
Spahiu nuk e ka quajtur “të vështirë” përzgjedhjen e yjeve që do të bëheshin pjesë e këtij formati televiziv, por ka thënë se një procedurë e tillë ka marrë shumë kur i referohemi kohëzgjatjes.
“Përzgjedhjen nuk do e konsideroja të vështirë, por ka marrë kohë. Kjo sepse asnjëri nga ata që kanë hyrë e do hyjnë, nuk është aty rastësisht apo vetëm për numër. Dinamika e ngjarjeve brenda shtëpisë dhe energjia që po transmetohet tek publiku është vulë se një formati si ky, i kanë munguar pikërisht këto karaktere nga të famshmit”, ka thënë ajo.
Një gjë është e sigurt – brenda shtëpisë, çdo sekondë mund të prodhojë situata të paprecedenta që nuk mund të kontrollohen nga jashtë, prandaj edhe kategorizohet si “reality show”.
“Big Brother VIP Kosova është format i paparashikueshëm. Vë përballë situatave nga më të ndryshmet banorët brenda dhe si rrjedhojë, në çdo moment diçka del përtej pritshmërive”, ka thënë Spahiu.
“Më e rëndësishmja është që pritshmëritë janë tejkaluar në suksesin e këtij formati, andaj për ne që kemi mbi gjysmë viti që punojmë në këtë reality, kjo vlen mbi të gjitha”, ka shtuar ajo.
Bazuar në rregullat dhe konceptin e Big Brother, të izoluar nga bota e jashtme, por të përcjellë vazhdimisht nga kamerat gjithandej, banorët e mbetur po vazhdojnë aventurën e tyre drejt çmimit të madh prej 200 mijë eurosh – të cilin, do ta fitojë vetëm njëri nga ta.
Kasti i banorëve po vazhdon të shpalosë karakteret e tyre në përpjekje e sipër për t’iu shmangur eliminimeve periodike, ndërsa vetëm deri më tani, eksperiencën brenda shtëpisë unike të “Vëllait të Madh” e kanë ndërprerë gjithsej tre konkurrentë, duke filluar nga çifti, Urim dhe Alisa, për të vazhduar me MC Bekën dhe e fundit prej tyre ishte, Gigliola Havareku.
Deri më tani, çfarë nuk kemi dëgjuar nga BBVK, histori nga më të ndryshmet që thyejnë akullin dhe barrierat e ngritura nga një mentalitet i një vendi që akoma nuk gëzon lirinë e lëvizjes drejt perëndimit.
Si është të jesh ‘Drag Queen’ dhe anëtar i LGBT-së në Kosovë? Si është të bashkëjetosh me personin e zemrës, sytë e të cilës nuk shohin? Si është t’i bësh ballë publikimit të një videoje intime që bëri xhiron e rrjetit? – këto janë vetëm disa nga pyetjet që përgjigje i dha vetëm – Big Brother VIP Kosova.
E pos shtëpisë goxha të kushtueshme me ambiente moderne, këtij formati televiziv nuk kishte se si t’i mungonte edhe një skenë gjigante si ajo e Big Brother VIP Kosova, nga ku edhe transmetohen netët Prime.
Për çdo të hënë e të premte, me nikoqirë Alaudin Hamitin dhe Jonida Vokshin si dhe me opinionistë Afërdita Paqaradën e Olti Currin, në ekranet e Klan Kosova dhe ArtMotion shfaqen netët prime, madhështia e të cilave ka rrëmbyer zemrat e publikut shqipfolës, gjithandej globit.
Transmetimi i netëve Prime ka kapur shifrat më të larta të shikueshmërisë, të arritura ndonjëherë në Kosovë – një tregues i saktë, i namit që po bën ky ‘reality show’ në vend e më gjerë.
Gjithsesi, mos harroni se akoma nuk ka kaluar një muaj i plotë që nga fillimi i transmetimit të Big Brother VIP Kosova dhe u dhurua aq shumë show, e aq shumë spektakël. Imagjinojeni, çfarë mund të ndodhë tutje në javët në vazhdim?
Për t’i shuar pikëpyetjet tuaja rreth banorëve brenda shtëpisë, qëndroni besnik ndaj Klan Kosova, duke e ndjekur BBVK-në, në ekranet e saj dhe të ArtMotion, 24 orë në shtatë ditë të javës.