“Barrikadimi” i Kasamit, Apasievit dhe Mickoskit bllokon integrimin në BE

Shkup, 3 janar/indeks.mk/-Gjatë këtij viti, ndryshimet e nevojshme kushtetuese për futjen e komunitetit bullgar në Preambulën e Kushtetutës, duhet të kalojnë në Parlament për të vazhduar rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, shkruan Indeks.mk

Përveç opozitares VMRO-DPMNE dhe Levicës së Dimitar Apasievit, ato i ka kushtëzuar edhe Lëvizja BESA e Bilall Kasamit me kushtin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por çfarë e afron Kasamin me Mickoskin dhe Apasievin në këtë “barrikadë” ndaj euro-integrimeve të vendit?

Politikologu Enver Salihi thotë se Lëvizja BESA nuk paraqet ndonjë forcë politike që me numrat e saj në Parlament dhe fuqinë politike të determinojë skenën politike në Maqedoni të Veriut.

“Lëvizja Besa ka bërë shumë gabime strategjike, duke u nisur nga dalja nga Qeveria si dhe kërkesat e fundit për zgjedhje dhe kushtëzimet, gjë që tregon për një ndryshim qëndrimesh dhe papjekuri politike. Lëvizja Besa me forcën që ka mund të arrijë vetëm tek numri 3 i deputetëve apo eventualisht 4, që kishte me LSDM-në dhe te gjithë e dimë se me atë forcë, nuk vërehej në qeverisje dhe nuk mund te të lëvizësh asnjë proces para, andaj do ishte mirë të ndjekë lëvizjet e Aleancës për Shqiptarët e cila tanimë është rreshtuar tek progresi, e jo tek kërkesa për zgjedhje e cila shkon vetëm në favor të VMRO DOMNE-së”, deklaroi Salihi për Indeks.mk

Sipas tij, vendit i duhet konsensus i gjerë për ndryshimet kushtetuese dhe anëtarësimin e vendit në BE.

Juristi Qenan Aliu pret që gjatë këtij viti në skenën politike të ndodhë një detronizim, ndërsa si shkas, thotë ai, do të jënë ndryshimet kushtetuese.

“Pritet të ndodh një detronizim në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, për çka shkas për këtë janë ndryshimet kushtetuese si ‘sine qua non’, për të ecur procesi i integrimit të vendit drejt BE-së. Për të filluar procedura e ndryshimeve kushtetuese, së pari Kuvendi duhet të sjellë vendim me 2/3 e votave për qasje në ndryshimet kushtetuese. Nëse kjo nuk vendoset në rend dite, nënkuptohet se shumica parlamentare ende nuk ka mundur të sigurojë numrin e votave të nevojshme. E kjo nuk përputhet me zotimin e qeverisë para faktorit ndërkombëtar se do të sigurojnë votat e nevojshme. Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin sot a nesër, por opozita e sheh si moment të vetëm këtë çështje për të efektuar zgjedhje të parakohshme. Nëse ndodhin ndryshimet kushtetuese, kjo shumicë do ta ushtrojë mandatin deri në fund”, deklaroi Aliu për Indeks.mk

Siç ka shkruar Indkes.mk, duke u thirrur në burime diplomatike, ndryshimet kushtetuese do të hyjnë në procedurë parlamentare në muajin mars, ndërkaq deri në qershor pritet të miratohen.

“Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulë mund të miratohen deri në qershor, kur pritet të përfundojë edhe shqyrtimi evropian i legjislacionit të Maqedonisë së Veriut”, thonë burime diplomatike.

Sipas po të njëjtit burim, përfundimi i skriningut nuk kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese. Së fundmi, shefi i Sekretariatit për Çështje Evropiane (SÇE), ministri Bojan Mariçiq, tha se ndryshimet kushtetuese do të bëhen në momentin që do të sigurohet shumica e dy të tretave të votave të deputetëve. Në anën tjetër, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, theksoi se kjo përbërje parlamentare nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa kryetari i Besës, Bilall Kasami, tha se deputetët e partisë së tij do t’i mbështesin ndryshimet kushtetutës me kushtin që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.