Kryeministri çek përmend si sukses hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin
Në bilancin e presidencës gjashtëmujore në krye të BE-së kryeministri i Republikës Çeke Petr Fiala theksoi si arritje nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Pjesë e agjendës sonë ishte edhe çështja e marrëdhënieve me shtetet që duan të bëhen pjesë e BE-së. Kemi nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e kandidatit dhe pak ditë më parë Kosova zyrtarisht dorëzoi në Presidencën Çeke aplikimin e saj për BE”.
Sipas kryeministrit çek këto kanë qenë gjashtë muaj sfidues të shënuar nga lufta ruse në Ukrainë, kriza energjetike, inflacioni dhe sfidat e përgjithshme të mëdha.
“Ndihma e planifikuar për Ukrainën gjatë vitit 2023 kap shifrën në total prej 18 miliardë dollarësh nga burimet evropiane. Ne reduktuam ndjeshëm varësinë e BE-së nga lëndët djegëse fosile ruse, vendosëm blerje të përbashkëta gazi, siguruam gaz të mjaftueshëm për dimrin në vijim”.
Në fund të fjalës së tij Fiala renditi si arritje jo më pak të rëndësishme, futjen e Kroacisë në Eurozonë dhe Shengen, gjë që do të vlerësohet nga shumë qytetarë çekë që kalojnë pushimet në Kroaci.
Klan News