Çekia asgjëson 750.000 pula për shkak të gripit të shpezëve – Klan Macedonia

Një fermë në Republikën Çeke ka urdhëruar asgjësimin e 750.000 pulave – 15 për qind të totalit të pulave në shtet – teksa Evropa po tenton që të frenojë shpërthimin më të madh të shpezëve ndonjëherë, thanë autoritetet më 4 janar.

Ferma e pulave, që ka urdhëruar asgjësimin e shpezëve, gjendet në fshatin Brod nat Tichou, dhe është një prej fermave më të mëdha në Republikën Çeke.

Javëve të fundit, disa ferma çeke po ashtu janë prekur nga virusi që është duke bërë kërdi në fermat në mbarë Bashkimin Evropian.

“Situata është shumë serioze. Dhjetë shpërthime të reja janë regjistruar në dhjetor në Çeku dhe situata është duke u rënduar”, tha përmes një deklarate administrata shtetërore e veterinarisë, SVS.

SVS gjatë këtij viti ka regjistruar katër shpërthime të reja, dhe çmimi i vezëve është rritur për shkak të asgjësimit të shpezëve në Brod and Tichou.

Muajin e kaluar, fermerët çekë u urdhëruan që të mbajnë shpezët e tyre në ambiente të mbyllura me qëllim të parandalimit të virusit mjaft të transmetueshëm H5N1, që mund të transmetohet edhe te njerëzit.

Autoritetet shëndetësore evropiane muajin e kaluar paralajmëruar se kontinenti po përballet me shpërthimin “më të rëndë” të këtij virusi, teksa janë vrarë miliona shpezë.

Afër 2.500 shpërthime janë regjistruar në fermat në 37 shtetet evropiane që nga tetori i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2022 dhe si rezultat i shpërthimeve janë asgjësuar rreth 50 milionë shpezë.

Autoritetet shëndetësore po e studiojnë mundësinë që të përdorin vaksina për të parandaluar përhapjen e virusit.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka thënë se rreziku që njerëzit të infektohen është i ulët, dhe rreziku është “i ulët deri mesatar” për personat që punojnë me shpezë dhe në pulari.