Në vitin që sapo ka filluar, vendi duhet të fokusohet në reformat që janë të nevojshme për hyrjen në BE, qëllim rreth të cilit duhet të bashkohen të gjithë politikanët, por edhe e gjithë shoqëria, tha ambasadori europian David Geer.
“Mesazhi kryesor për politikanët dhe jo vetëm për qeverinë janë reformat, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë çështjesh që prekin qytetarët, nga shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i standardit të jetesës dhe ndërtimi i ekonomisë. Pikërisht në këto fusha duhet punuar më së shumti dhe më me përkushtim”, tha Geer duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit gjatë vizitës në Dellçevë.
Ai shtoi se edhe pse këto procese duhet të udhëhiqen nga Qeveria, të gjithë politikanët, pavarësisht se nga cila parti vijnë, duhet të punojnë së bashku në interes të shtetit dhe përmbushjes së kritereve dhe kushteve për hyrje në Bashkimin Europian.
“Kjo është një çështje që duhet ta udhëheqë Qeveria, por është edhe diçka që duhet t’i bashkojë të gjithë, nga të gjitha anët politike, nga të gjitha anët e shoqërisë, të bashkohemi, të punojmë së bashku drejt qëllimit të përbashkët – të arrihet një demokraci, një vend paqësor dhe prosperues brenda BE-së”, tha ambasadori evropian Gir.
Ai ishte duke vizituar Dellçevën në kuadër të aksionit për dhurimin e pakove ushqimore për rreth 30 familje të rrezikuara sociale të organizuar nga Delegacioni i BE-së në vend në bashkëpunim me Bankën e Ushqimit.