Putin dërgon raketa të reja lundrimi hipersonike në Atlantik – Klan Macedonia

Presidenti rus, Vladimir Putin, të mërkurën dërgoi një fregatë drejt oqeanit Altantik dhe Indian të armatosur me raketa të reja hipersonike Zircon, të cilat ai tha se ishin unike në botë, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.

Në një video-konferencë me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Igor Krokhmal, komandant i fregatës së quajtur “Admirali i Flotës së Bashkimit Sovjetik Gorshkov”, Putin tha se anija ishte e armatosur me armë hipersonike Zirkon.

“Kësaj radhe anija është e pajisur me sistemin më të fundit të raketave hipersonike – “Zircon” – i cili nuk ka analoge”, tha Putin, i cili është i përfshirë në një përplasje me Perëndimin për luftën e tij në Ukrainë.

“Dëshiroj t’i uroj ekuipazhit të anijes suksese në shërbimin e tyre për të mirën e Atdheut.

Shoigu tha se Gorshkov do të lundronte në oqeanin Atlantik dhe Indian dhe në Detin Mesdhe.

“Kjo anije, e armatosur me “Zirkon”, është e aftë të kryejë sulme të forta dhe të fuqishme kundër armikut në det dhe në tokë”, shtoi ai.

Shoigu po ashtu u shpreh se raketat hipersonike, të njohura si Tsirkon ose Zircon, mund të kapërcejnë çdo sistem të mbrojtjes raketore, dhe se raketat fluturojnë me nëntë herë shpejtësinë e zërit dhe kanë një rreze prej mbi 1000 km.

Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë aktualisht në një garë armësh hipersonike. Për shkak të shpejtësisë së tyre – mbi pesë herë më të madhe se shpejtësia e zërit – dhe manovrueshmërisë, armë të tilla shihen si një mënyrë për të fituar një avantazh ndaj çdo kundërshtari.

Objektivi i një arme hipersonike është shumë më i vështirë për t’u kalkuluar sesa për raketat balistike ndërkontinentale.