Mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese do të diferencojë nga skena politike partitë të cilat janë anti vlerave evropiane, thotë në një prononcim për Indeks.mk, ish-ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin. Sipas tij, partitë duhet ti vënë interesat e përgjithshme të qytetarëve dhe shtetërore mbi ato partiake dhe nuk duhet t’i kushtëzojnë me asgjë ndryshimet kushtetuese, që janë të nevojshme për të vazhduar rrugëtimi i mëtejmë drejt BE-së.
“Mos miratimi i ndryshimeve kushtetuese nuk e fut vendin në ndonjë të ashtuquajturin ‘skenar malazez’, por për një kohë mund ta ngadalësojë rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Mendoj se kemi bërë një spektër të gjerë gabimesh, po ashtu kemi pasur edhe mungesë të veprimeve vizionare nga ana e politikanëve që nga vitet e 90-ta deri te Marrëveshja e Prespës. Nëse edhe këtë herë fiton interesi partiak mbi atë shtetëror, do të tregojmë se nuk kemi pjekuri politike për interesat shtetërore. Gjithsesi, kjo mund të shkaktojë reagime në jetën politike, por do të diferencohen edhe partitë të cilat janë kundër vlerave dhe elementeve euro-atlantike, pasi që do të arrijë në vesh të diplomatëve evropianë dhe amerikanë fakti se elita të caktuara politike në Maqedoninë e Veriut nuk janë të pjekura politikisht”, deklaroi Ruzhin për Indeks.mk
Ai vlerëson se duhet të përdoren të gjitha mjetet që ndryshimet kushtetuese të realizohen.
“Vlerësoj se këtë që po e bën Mickoski dhe VMRO-DPMNE së bashku me partnerët e tij të koalicionit, është një lloj kushtëzimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, nënvizoi Ruzhin.
Përveç VMRO-DPMNE-së dhe Levicës të cilat janë kundër ndryshimeve kushtetuese, rrugëtimit të tyre anti-evropian i është bashkuar edhe Lëvizja Besa e Biall Kasamit, duke i kushtëzuar ndryshimet kushtetuese me zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në brifingun e fundit me gazetar shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, deklaroi se nëse deri në nëntor nuk miratohen ndryshimet e nevojshme kushtetuese për futjen e komunitetit bullgar në Preambulë, atëherë vihet në rrezik rrugëtimi euroatlantik i vendit.
“Frika ime është që nëse nëntori na nxë pa përfunduar ndryshimet kushtetuese, do të ndërpritet bisedimet, do ta humbasim momentin, ndërsa humbja e momentit është një nga punët më të këqija që mund të na ndodhin në rrugën evropiane dhe kam frikë…shpresoj që nuk do të keqpërdoret, se do të hyjmë në ndonjë skenar malazez”, pat thënë Osmani.(Indeks.mk)