Piloti grek e vrau gruan e tij 20-vjeçare për të fshehur trafikun e drogës, thotë babai i viktimës – Klan Macedonia

Piloti grek i cili vrau bashkëshorten e tij në sy të fëmijës së tyre ka pranuar se e kreu krimin për të mbuluar trafikun e drogës. Kështu të paktën pretendon babai i viktimës.

Babis Anagnostopoulos e mbyti bashkëshorten e tij Caroline Couch dhe qenin e familjes dhe e inskenoi ngjarjen si grabitje. Ai u dënua nga gjykata greke me burgim të përjetshëm.

Babai i Caroline, David Crouch deklaron se piloti vrasës ka shkruar për krimet e tij në një letër.

Piloti grek, sipas babait të viktimës, transportonte drogë me helikopter për llogari të një bande kriminale, por tentoi të tërhiqej pasi i tregoi bashkëshortes për aktivitetin e jashtëligjshëm.

Trafikantët e paralajmëruan se bashkëshortja e tij duhej heshtur, ndaj ai e vrau nga frika se do të vriteshin të dy, tha babai i Caroline.

79-vjeçari insiston se ai ka shkruar një letër me anglishte shumë të pastër. Duke folur për televizionin grek Ant1 ai tha: “Jua them unë përse e vrau Caroline-n në sy të fëmijës. Ai ishte i përfshirë me një bandë kriminale që merrej me drogë. Caroline dhe Babis shkonin në një restorant dhe pronari i atij vendi merrej me drogë. Ai foli me Babis dhe i tha se rrjeti kishte nevojë për një pilot helikopteri dhe ishte një punë për të cilën do paguhej mjaft mirë”.

“Babis ishte shumë budalla. Në vend se ta mbante gojën e mbyllur, ai i tha Caroline-s. Caroline ishte një person shumë i drejtë dhe i tha se nuk donte të kishte të bënte me punë të tilla dhe se nëse do të vijonte me biznesin e drogës ajo do të largohej menjëherë dhe do të shkonte në Filipine”.

“Ndaj ai i tha trafikantëve se nuk mund ta bënte dhe ata e pyetën përse, dhe ju thashë sa budalla ishte, ai u tha, ‘i thashë gruas dhe ajo më tha se nëse vijoj të merrem me trafik droge do më lerë’. Ata iu përgjigjën se ‘nuk mund t’i thuash gruas për këtë, duhet ta heshtësh’. Nëse ajo të beson, do jetë gjithnjë në dijeni dhe një ditë do të hapë gojën dhe do na duhet që ta heqim qafe”, tregon babai i Caroline.

Ngjarja e rëndë ndodhi verën e vitit 2021 në shtëpinë e çiftit në Athinë. Pasi e vrau bashkëshorten e tij e cila ishte vetëm 20-vjeçe dhe qenin, 35-vjeçari Babis lidhi veten dhe i tha policisë se ishte sulmuar nga kriminelë shqiptarë.

Megjithatë versioni i tij nuk u besua nga hetuesit, të cilët 6 javë më vonë e vunë në pranga. Prindërit e Caroline fituan kujdestarinë e mbesës së tyre Lydia, që tashmë jeton me ta në Filipine./tvklan.al