EDITORIAL / Mickoski dhe Apasiev ia ndalojnë Besës ta takojë Edi Ramen

Lëvizja Besa ka njoftuar dje opinionin se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur të martën në mbrëmje (10.01.2023) në Tiranë nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Ky vendim i presidencës partiake të Besës, sa i përket strategjisë së funksionimit, nuk devijon nga kahja e vendimeve të deritanishme që janë në një linjë ideologjike me VMRO-DPMNE-në dhe Levicën anti NATO, anti BE dhe anti vlerave të barazisë dhe demokracisë konsensuale, shkruan bild.mk .

Kasami dhe bashkëpunëtorët e tij po mundohen ta kamuflojnë dhe arsyetojnë këtë vendim, por të gjitha veprimet aludojnë në protagonizëm që asesi nuk arrin të tejkalojë interesat e ngushta partiake, bile edhe atëherë kur në tavolinën e diskutimit janë çështjet me interes të lartë kombëtar dhe shtetëror.

Duke e ditur se Kasami fitoi komunën e Tetovës me ndihmën e trupit votues të VMRO-së dhe duke i pasur parasysh takimet e shpeshta publike dhe jopublike me Mickoskin, po bëhet gjithnjë e më i qartë vazaliteti politik i Lëvizjes Besa ndaj partive opozitare maqedonase.

Mos vallë Mickoski dhe Apasiev ia ndalojnë Besës ta takojë Edi Ramën, njësoj siç ia ndalojnë të votojë pro ndryshimeve kushtetuese dhe progresit të vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian?!

Në diskursin e përdorur nga zyrtarë të kësaj partie, përfshirë këtu deklaratën e fundit të nënkryetarit të saj, Fatmir Limani, i cili thotë se ky takim ka për qëllim të shpëtojë Qeverinë LSDM – BDI dhe se nuk duhet të thirret aspak pa praninë e palës maqedonase, vërehet qartë retorika politike e VMRO-DPMNE-së opozitare.

Me apo pa vetëdije, të verbuar nga egoja e pushtetit, Besa ka zgjedhur të rreshtohet me forcat regresive që synojnë stagnimin e vendit në rrugën e integrimit europian. / bild.mk