Në 2022, në Tetovë janë dhuruar 2520 njësi gjaku

Tetovë, 9 janar – Në vitin 2022 gjithsej janë mbledhur 2520 njësi gjaku në rajonin e Tetovës dhe pesë komunat rurale, njofton Organizata komunale e Kryqit të Kuq Tetovë. Të gjitha aksionet e dhurimit të gjakut kryhen në bashkëpunim me ekipet e ekspertëve nga Qendra për mjekësi transfuzive Tetovë. Për të tretin vit radhazi është rritur numri i njësive të grumbulluara të gjakut. “Gjatë vitit 2022 janë organizuar 36 aksione të dhurimit të gjakut në shërbimin e transfuzionit në Tetovë dhe aksione në terren në vazhdimësi gjatë gjithë vitit, me ç’rast janë mbledhur 2520 njësi gjak.

Viti i kaluar ishte viti i tretë me radhë që u shënua rritje e numrit të njësive të dhuruara të gjakut. Në vitin 2021 janë mbledhur 2477 njësi gjak, ndërsa në vitin 2020 ka pasur 2121 njësi gjaku”, njofton Shkëlqim Murati, sekretar në Organizatën komunale të Kryqit të Kuq Tetovë. Organizata, në kuadër të aktiviteteve të tjera të rregullta, vazhdimisht ka shpërndarë ndihma për familjet e rrezikuara sociale, si dhe për personat e zhvendosur nga Ukraina në rajonin e Tetovës.

Gjatë vitit 2022 janë organizuar trajnime për ofrimin e ndihmës së parë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në rajonin e Tetovës, si dhe për zjarrfikësit e saporekrutuar, ndërsa janë trajnuar vullnetarë të rinj. “Vullnetarët e OK Kryqi i Kuq Tetovë morën pjesë në një ushtrim simulues në rast të fatkeqësive, pastaj në karvanin e vaksinimit për gripin sezonal dhe KOVID nga Ministria e Shëndetësisë, duke ofruar mbështetje për shkollat fillore për aktivitete humanitare, aktivitete për forcimin e kapaciteteve të vullnetarëve të rinj dhe disa aktivitete tjera të ngjashme”, deklaroi Murati.

Organizata komunale e Kryqit të Kuq Tetovë në vitin 2022 ka shënuar edhe javët dhe ditët tradicionale, turneun në volejboll dhe aktivitete të tjera.