Këngëtari i parë shqiptar që u këndoi shqiptarëve të Ukrainës!
“Ah pranvera, pranvera”, “Nare , Nare”, “Ku i kam shok’t e mi”, janë vetëm disa nga këngët që dëgjohen ndër vite e që të gjithë e dimë se janë kënduar nga këngëtari shkupjan SelajdinMiftari – Salushi. Artisti i cili ndër vite pasuroi me krijimtarinë e tij tregun tonë muzikor, duke qëndruar gjithmonë në origjinalitet dhe tek melosi shqiptar. Salushi, siç e njohin të gjithë, vjen në një intervistë për portalin Indeks.mk, me ç’rast rrëfen të rejat e tij më të fundit nga jeta artistike, suksesin e vlerësimit si “Punëtori i vitit” në vendin e tij të punës, si dhe për muzikën dikur dhe sot, kujton edhe ëndrrën e tij për ta takuar Qamilin e Vogël, i cili e befason kur i shkon mysafir në shtëpi…
Në kohën kur Ukraina është në fokusin e vëmendjes së gjithë botës, në bisedë rikujton dy koncertet e para rreth 25 vitesh me ansamblin “EminDuraku” në fshatrat e banuara me shqiptarë të këtij vendi, që është një nga ngjarjet më të bukura të karrierës së tij, dhe sot me keqardhje pranon faktin që pikërisht disa nga këto fshatra janë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë rus.
Jetën dhe karrierën e tij të pasur, pritet ta fusë në kopertinat e një monografie në të cilën ende punon…
-Jeni një ndër artistët më ikonikë që ka qyteti i Shkupit, na trego pak fillimet e karrierës tënde?
S.Miftari: Së pari faleminderit për intervistën dhe është kënaqësi për mua që të bëj këtë bashkëbisedim me ju.
Fillimet e mia në muzikë janë që nga mosha e vogël, parashkollore. Duke dëgjuar vëllain e madh teksa i binte mandolinës, kitarës dhe çiftelisë, fillova të lakmoj edhe unë dhe duke kënduar së bashku me të, këngët që ai i mësonte në shkollën normale e poashtu edhe këngët e Qamilit të Vogël, nisa edhe unë t’u mëshoj këtyre instrumenteve dhe të këndoj. Në fëmijëri fillova të këndoja nëpër festat e shkollës, ndërsa në moshën nëntë vjeçare këndova për herë të parë në një festival në nivel komunal. Me të njëjtin ritëm në shkollë të mesme u kyça edhe në korin e shkollës, teksa në vitin e parë u inkuadrova në Shoqërinë Kulturore dhe Artistike “EminDuraku”. Pastaj aktiviteti im vijoi edhe në SHKA të tjera, si “AliaAvdoviq” në Hasanbeg, “IbePalikuqa” në Shkup, “Karshiaka” në Nerez, “Drita e Dërvenit” dhe “Shqiponja” të Sarajit, ku edhe sot jap kontribut. Si artist kam dhënë kontribut edhe nëpër shoqëritë kulturore-artisike jashtë vendit, si “Sharri” i Hani Elezit, “Dardania” Llashticë-Gjilan, “Ramiz Sadiku” – Prishtinë, “Shotë Galica” – Drenas etj.
Jam tejet i lumtur që përvojën time tash mund ta përcjell edhe përmes aktivitetit të pasur të Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare, një institucion kulturor që na ka munguar, i cili me sukseset po i arrin t’i afirmojë vlerat tona brenda dhe jashtë vendit, duke u bërë një nga arritjet tona më të mëdha, sepse më parë ansamblet shtetërore nuk u përkisnin shqiptarëve.
– Po nofka “Salushi” me të cilën ju njohin gjithandej, si ju mbeti? Ndoshta pak kush e di?
S.Miftari: Nofka “Salushi”, sa mbaj mend,më ka mbetur nga tezja ime dhe njerëzit e afërm, nga përkëdhelia, që sigurisht lidhej me emrin tim origjinal. Disa gjëra nisin në fëmijëri dhe mbeten. Sigurisht edhe Qamili i Vogël ka nisur të këndojë i vogël në moshë, ndaj dhe e kanë quajtur ashtu, porse, pastaj, edhe kur u bë “i madh”, i mbeti nofka që ia kishin lënë si fëmijë.
-Vitin 2022 e përmbyllët me sukses duke u zgjedhur si “Punëtori i vitit” nga Drejtoria e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, çfarë do të thotë për ju ky vlerësim?
S.Mifari: Vlerësimi si punëtor i vitit 2022 nga drejtoria e Ansamblit, është një motivim që të angazhohem edhe më tepër duke u përkushtuar në punë që të arrijmë gjithnjë rezultate të lakmueshme. Në të vërtetë, edhe një vit më parë m’u nda kjo mirënjohje, që është një kënaqësi kur e sheh se dikush ta vlerëson punën dhe kontributin që jep.
-Ndër vite keni krijuar këngë që nuk i ka zbehur koha, sot shumë prej tyre ripërpunohen! Si i vlerësoni këto ripërpunime nga kolegët tuaj?
S.Miftari: Po, gjatë zhvillimit të karrierës unë kam shkruar mbi 300 tekste këngësh , disa nga tekstet ua kam dhënë dhe kolegëve të mi, shumicën prej të cilave i kam melografuar dhe i kam kënduar vetë. Disa nga këngët e mia vazhdojnë të jenë të freskëta,dëgjohen me përkushtim dhe i rikëndojnë kolegët e mi. Edhe unë kam kënduar këngë të autorëve te tjerë si Qamili i Vogël,MazllomMuezini,Bik Ndoja,Shyqëri Alushi,Dervish Shaqa,Riza Bllaca etj., por gjithmonë duke pasur kujdes me tekstet dhe mënyrën e të kënduarit në mënyrë origjinale. Nëse kam kënduar këngën e autorit që ende është gjallë,e kam pyetur atë, pra, kam marrë leje nga vetë artisti. Ka shumë nga kolegët qe i marrin këngët e mia pa leje, pra, pa të drejtën autoriale, edhe pse i kanë kënduar mirë, e disa kanë pasur guxim që edhe të ndryshojnë tekstin, gjë që nuk është mirë. Po i numëroj disa nga këngët ku autor jam unë: “Ah pranvera , pranvera”, “Ku i kam shok’t e mi?”, “Mos u largo , mos u largo”, “Nare , Nare”, “Do t’këndoj për ju”, “Sa të kam dashur, moj”, “Kalaja e Shkupit” e dhjetëra këngë të tjera, s’mund t’i numëroj të gjitha, se janë shumë.
Është shumë kolegiale, madje tani kur janë rrjetet sociale dhe e kemi lehtë të pyesim kolegët, të marrim leje së paku dhe kur këndojmë këngët e njëri tjetrit, të shkruhet emri dhe mbiemri i autorit të vargjeve dhe muzikës, e jo të krijohet iluzion i rrejshëm sikur janë këngë tonat origjinale.
-Cilën prej këngëve tua do ta quaje si “letërnjoftim” të karrierës?
S.Miftari: Letërnjoftimi im artistik janë këngët që dashamirët i kujtojnë gjatë, por nëse unë do të veçoja diçka që ka rëndësi për mua, është kënga ”Në pragun e derës sate”, që e kam kënduar fare në fillim, për të vazhduar me “Ah, pranvera”, e autorit Zek Lushi “Ihhihi e i ha haha” (kenga e dembelit) si dhe krijime të tjera.
-Tashmë ka shumë të rinj të cilët merren me muzikë, cili është mendimi juaj për këngëtarët e rinj?
S.Miftari:Unë për vete kënaqem kur dëgjoj këngëtare dhe këngëtarë të rinj, të cilët realisht kanë talent të falur nga Zoti, të shkolluar, me tekste që me të vërtetë kanë kuptim,sepse dihet se vargjet e një kënge duhet te kenë fillim, zhvillim dhe perfundim me kuptim të një ngjarje dhe jo të jenë “vetëm hajt”… Në mënyrë më artistike, duhet pasur kujdes me gjuhën e cila përdoret në këngë, më qëllim që këngët mos të kalojnë në nivel degjenerues. Ndoshta fola shumë, mirëpo ne si gjeneratë më e moshuar të them, ua kemi borxh gjeneratave që pasojnë t’i orientojmë në rrugën që trasuan të parët tanë, ta ruajnë kulturën dhe traditat e mira kombëtare që i kemi si dhe t’i lëmë pas të këqijat dhe mos të marrim imitime nga muzikë të huaja!
-Një ndër takimet më emocionuese që keni pasur në karrierë e keni përmendur atë me Qamilin e Vogël në fillimet e karrierës tuaj, si ishte ai moment për ty?
S.Miftari: Shumë e vërtetë se unë kam qenë fans i Qamilit të Vogël,ndaj mbetem edhe sot një admirues i këngëve te tij. Dëshira ime e madhe ka qenë që të takohem me Qamilin e Vogël, por nga modestia që kisha s’kisha guxim që të shkoj dhe takoj tashmë të ndjerin Qamili i Vogël. Pas një inçizimi në Radio Prishtinën e asaj kohe, ai kishte dëgjuar këngët e mia dhe e kishte kërkuar adresën time, pasi në radio kisha lënë edhe adresën gjatë audicionit, sepse në atë kohë kishte kritere të tjera. Me të marrë adresën time, vjen e gjen vendlindjen dhe adresën time të banimit. Unë isha mysafir kur më thirrën në shtëpi, “Salush, hajde se ka ardh’Qamili i Vogël”! Kur hyra në shtëpi, nuk u besoja syve të mi, i madhi Qamili i Vogël ishte ulur në një divan me babën tim… Vazhdoi kënga dhe muhabeti deri sa vendosëm që edhe të bashkëpunojmë. Unë e kisha kërkuar dhe isha druajtur ta takoj, e ai më gjete vetë! Diçka e pabesueshme.
-Nga miqtë tuaj kemi kuptuar se vite më parë keni pasur një vizitë në Ukrainë, që pak kush e di, mund të na thoni diçka më tepër lidhur me këtë vizitë atje, duke e pasur parasysh se sot pikërisht Ukraina dhe zonat e banuara me shqiptarë, janë në qendër të vëmendjes? Si e përjetoni këtë, duke e ditur se keni kënduar i pari para bashkëkombësve tanë në këtë hapësirë? Me sa dimë, atyre më vonë u ka kënduar edhe i madhi Kastriot Tusha, por ju rastisët që t’i vizitoni në vitin 1998, nëse nuk gabojmë?
S.Miftari:Ndoshta gjërat më të bukura janë të rastësishme dhe ajo ngjarje vizitë ndodhi disi ashtu. Ishte një ekspeditë tejet interesante dhe emocionuese, vetëm 3-4 disa vjet pasi përmes Televizionit Shtetëror të Maqedonisë ishin emetuar dokumentarët e njohur të Sefer Musliut dhe Afet Miftarit, kur kuptuam se shqiptarët jetojnë edhe në një vend si Ukraina, ku pakkush e ka ditur.
Ai udhëtim yni nëpër katër fshatrat e banuar me shqiptarë, në dy hapësira të ndryshme, nuk mund të harrohet, sepse gjetëm bashkëkombësit tanë të harruar, që flisnin gjuhën tonë ashtu siç e kishin ruajtur, arkaike dhe të përzier me rusisht e ukrainisht, por prapë të ruajtur disi dhe me vetëdije të pastër për origjinën e tyre. Ndaj them se kam pasur fat dhe privilegj që të vizitoj vëllezërit tanë në Ukrainë. Atje shkuam me Ansamblin “EminDuraku”, bashkë me prof..Haki Imerin, gazetarët Sefer Musliu e Daut Dauti, regjisorin e dokumentarëve të përmendur, Afet Miftarin. Atje përveç koncerteve dhe këngës së bukur shqipe, ua dërguam edhe abetaret dhe librat shqip. Ishte një mision i vërtetë. Dhe për të mos e harruar, në këto katunde gjetëm ngrohtësinë dhe mikpritjen bujare shqiptare te çdo shtëpi dhe njeri që takonim.
Me të arritur atje në fshatin e parë të Ukrainës i cili quhej Karakurt, na pritën si vëllezër dhe motra , na shpërndanë nëpër shtëpi private, ku e ndjenim veten sikur te ishim nipat apo mbesat që kanë shkuar te daja! Gjithë aktiviteti ishte mbresëlënës nga çdo aspekt. I mbajtëm dy koncerte, një në fshatin Karakurt, që është në kufi me Moldavinë, dhe një tjetër, në katundin që më duket se quhej Taz, në brigjet e Detit Azov, për banorët e të tri fshatrave të atjeshme. Bujarinë dhe ngrohtësinë e atyre takimeve, sikundër dhe ngazëllimin që e shihnim në sytë e publikut kur shihnin vallen origjinale shqiptare dhe dëgjonin këngët shqipe, nuk mund të harrohen. Është një përjetim i rrallë. Dhe ju po thoni se unë kam qenë këngëtari i parë shqiptar…Më bën krenar, gjithsesi ky fakt. Në të vërtetë, në ato koncerte bashkë me mua ka kënduar edhe vetë kryetari i Ansamblit tonë, Agim Ismaili, i cili i rrëmbyer nga atmosfera, mori mikrofonin dhe rikujtoi aftësitë e tij prej këngëtari, pasi rrallë këndonte dhe këndoi edhe ai… Çka mund të them?… Jemi pritur jashtëzakonisht mirë, vërtet diçka që nuk mund të shlyhet nga kujtesa. Më vjen mirë që po dëgjoj se atje paska shkuar më vonë edhe Kastriot Tusha, me sa di, edhe vizitorë të tjerë nivelesh të ndryshme. Kjo tregon se gjërat kanë ecur për të mirë për këta banorë, të cilëve pikërisht këto kontakte ua kanë ngjallur entuziazmin dhe motivin për të qenë pjesë e pandarë e shpirtit shqiptar. Pikërisht për këtë, me keqardhje po përcjell lajmet për luftën në Ukrainë. Ndonëse nuk kam ndonjë kontakt me ta, rrezikun nga lufta, e ndjej si rrezik të vëllezërve tanë. Ajo që do të doja është që ky agresion i çmendur të përfundojë sa më parë dhe të krijohen kushtet për t’i vizituar prapë dhe për t’u mbajtur koncerte që ata mezi i presin.
-Cilat janëanët pozitive dhe ato negative që i ka karriera e një artisti?
S.Miftari:Anët pozitive dikur numëroheshin më shumë e tash ndoshta ka më pak, ndërsa anë negative tani kemi më shumë. Pozitive kanë qenë dhe janë tekstet e shkruara nga poetë të vërtetë, të kënduarit shqip nga thesari i pashtershëm kombëtar që e kemi me plot vlera. Tek anët pozitive do të theksoja situatat kur publiku dëgjonte këngët tona dhe na duartrokiste, kurse tash, paksa janë përzier gjërat, ka shumë improvizime, shumë vrap për ta joshur publikun, pa mbajtur fort llogari për tekste e nivel të muzikës!
-Ju jeni prezent shumë dekada në estradën tonë, një karrierë impresive, pa dyshim. Sa jemi të njoftuar, ju keni punuar edhe në botimin e një monografie kushtuar karrierës, sa jeni të kënaqur me të, a e ka parë dritën apo do të presim ende, meqë nuk na kujtohet se është promovuar?
S.Miftari:Sa i takon monografisë ende nuk është gati, në të ende po punohet, nuk është lehtë të përmblidhet gjithë ajo që është bërë për disa dekada. Po mbledhim ende material me bashkëauorin, vëllain Naserin, dhe shpresojmë që kësaj pune, bashkë me miq e dashamirë të këngës sime, t’i dalim me sukses. Sigurisht se publiku dhe ju do të jeni të informuar sapo ta përfundojmë.
-E filluam këtë vit kalendarik…Çka prisni prej këtij viti në aktivitetin tuaj artistik?
S.Miftari:Sapo e realizuam një klip të një kënge kushtuar dëshmorëve, e poashtu jam duke punuar disa këngë që do t’i publikoj radhazi gjatë këtij viti.