Komuniteti i të famshmëve në Kaliforni në rrezik nga përmbytjet – Klan Macedonia

Urdhrat e detyrueshëm të evakuimit u vendosën për 17 rajone në Kaliforni, duke përfshirë të gjithë qytetin Montecito dhe zonat e afërta të bregut të Santa Barbara, për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjes së dheut.

Pamjet video të shpërndara në internet tregojnë rrugë të përmbytura dhe lumenjtë të cilët aktualisht kanë arritur nivelin më të lartë. Në mesin e afro 9,000 banorëve të Montecitos ka shumë të famshëm, si Oprah Winfrey, Princi Harry i Britanisë dhe gruaja e tij Meghan, dhe aktorja-komediane Ellen DeGeneres, e cila postoi një video selfie në Twitter shtëpia e të cilës rrezikon që të përmbytet.

Të paktën 12 njerëz kanë humbur jetën, mes tyre edhe dy fëmijë. Moti i keq pengoi shpëtimin  e disa personave të cilët kishin mbetur të bllokuar në një kanion. Evakuimet e detyrueshme erdhën pesë vjet pasi rrëshqitjet e dheut nga shirat e dendur goditën shpatet dhe kanionet e reja të djegura nga zjarri rreth Montecito, 90 milje në veriperëndim të Los Anxhelosit, duke shkaktuar dëme katastrofike dhe duke vrarë më shumë se 20 njerëz në janar 2018.

Më shumë se 400,000 njerëz janë ende pa energji elektrike. Rreth 90% e Kalifornisë gati 34 milionë njerëz në shtetin më të populluar të SHBA janë nën rrezik. Lugina e Sacramento është gjithashtu nën rrezik ndërsa shkollat ​​kanë anuluar mësimin deri në përmirësimin e situatës. Presidenti i SHBA Joe Biden shpalli një gjendje të jashtëzakonshme në Kaliforni e cila lejon Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave  të ofrojë ndihmë për fatkeqësitë.

Vitin e kaluar, Kalifornia vendosi që njerëzit të krijojnë rezerva uji për shkak të thatësirës ekstreme ndërsa një pjesë e madhe e Kalifornisë u godit gjithashtu edhe nga zjarret katastrofike.

Klan News