Mbështetësit e tij sulmuan institucionet e Brazilit, ish-presidenti brazilian Bolsonaro shtrohet në spital – Klan Macedonia

Ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro është shtruar në spital me dhimbje barku, bëri të ditur bashkëshortja e tij.

Kjo vjen një ditë pasi mijëra mbështetës të tij sulmuan zyrat e qeverisë në kryeqytetin brazilian. Sipas raportimeve, Bolsonaro u shtrua në një spital pranë Orlandos të hënën.

Ish-presidenti u godit me thikë në vitin 2018 dhe që atëherë ka luftuar me dhimbjet e barkut.

Michelle Bolsonaro konfirmoi përmes një postimi në Instagram se bashkëshorti i saj ishte nën vëzhgim për shkak të shqetësimit të barkut.

Sipas “Reuters”, një burim i afërt me familjen tha se gjendja e tij nuk ishte “shqetësuese”.

Bolsonaro u largua nga Brazili për në Shtetet e Bashkuara rreth 10 ditë më parë. Ai refuzoi të merrte pjesë në dorëzimin e pushtetit të Presidentit Luiz Inácio Lula da Silva javën e kaluar.

Presidenti i SHBA, Joe Biden po përballet me presion nga anëtarët e partisë së tij për të larguar Bolsonaro nga vendi.

“Bolsonaro nuk duhet të jetë në Florida. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë një strehë për këtë autoritar që ka frymëzuar terrorizmin e brendshëm në Brazil. Ai duhet të kthehet në Brazil”, tha përfaqësuesi demokrat Joaquin Castro për CNN.

Kjo vjen pasi Brazili është tronditur të dielën pasi qindra mbështetës të ish-presidentit brazilian, Jair Bolsonaro sulmuan institucionet e larta shtetërore të Brazilit, Kongresin, Gjykatën e Lartë dhe Pallatin Presidencial Planalto./tvklan.al