Rusia kontrollon pjesën më të madhe të Soledar – Klan Macedonia

Kremlini ka deklaruar se do të vazhdojë zhvillimin e armëve bërthamore

Rusia ka marrë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit Soledar pas një beteje disamujore me forcat ukrainase.

Trupat ruse dhe grupi mercenar Ëagner kanë bërë përparime në ditët e fundit. Soledar, në rajonin industrial të Donbasit, shtrihet disa milje larg Bakhmutit, ku trupat nga të dyja palët kanë marrë humbje të mëdha që kur Rusia pushtoi Ukrainën gati 11 muaj më parë.

Një zyrtar amerikan tha javën e kaluar se Ëagner, dëshiron kontrollin e minierave të mëdha të kripës dhe gipsit në zonë. Megjithatë, Britania beson se Rusia nuk ka gjasa ta marrë vetë Bakhmutin menjëherë për shkak të linjave të qëndrueshme të mbrojtjes të Ukrainës.

Pavarësisht betejës së gjatë dhe intensive analistët ushtarak janë shprehur se as Soledar dhe as Bakhmut nuk janë veçanërisht të rëndësishëm nga pikëpamja operacionale. Rusia ka pësuar disa pengesa në Ukrainë që nga pushtimi i saj gati një vit më parë.

Ndërkaq zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se Rusia po përgatitet të vendosë trupa për një ofensivë të re në Ukrainë, ndoshta në kryeqytetin Kiev. Presidenti ukrainas ka kërkuar që të sigurojë më shumë armë të sofistikuara nga partnerët perëndimorë të Ukrainës për të mposhtur sulmet dhe përfundimisht për të dëbuar trupat ruse. Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara u zotuan javën e kaluar për të dërguar automjete të blinduara luftarake, duke përmbushur një kërkesë të kahershme të Ukrainës.

Nga ana tjetër Rusia do të vazhdojë zhvillimin e armëve bërthamore për të garantuar sovranitetin e vendit, ka bërë të ditur ministri i saj i mbrojtjes, Sergei Shoigu. Moska do të vazhdojë të ndërtojë treshen e saj bërthamore të raketave balistike, nëndetëseve dhe bombarduesve strategjikë, raporton Reuters. Gjithashtu Shoigu ka bërë të ditur se Kremlini do të rrisë aftësitë luftarake të forcave të hapësirës ajrore në zonat ku Ukraina ka vendosur sistemet moderne të mbrojtjes ajrore.

GAZETARE: LIVIA KALLFA