Ahmeti vizitoi Qendrën Kulturore Informative në Tiranë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga shefi i tij i kabinetit Artan Grubi, nënkryetari Arbër Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Faton Ahmeti, gjatë vizitës së tyre në Tiranë kanë vizituar edhe Qendrën Kulturore Informative në kuadër të ambasadës së Maqedonisë së Veriut ku janë mirëpritur nga drejtori i kësaj qendre, Zllatko Origjanski.

“Pas mikpritjes së mbrëmshme vëllazërore të Kryeministrit Edi Rama, gjatë qëndrimit tonë në Tiranë vizituam edhe hapësirat e Qendrës Informative Kulturore, ku u mirëpritëm nga drejtori i kësaj qendre, z. Zllatko Origjanski. Kjo qendër është rezultat i bashkëpunimit tonë të përforcuar ndërqeveritar me Republikën e Shqipërisë, një projekt institucional që synon të ruajë dhe avancojë lidhjen kulturore mes vendeve tona. Ju urova punë të mbarë drejtuesve të kësaj qendre dhe materializim të përpiktë të programit të bashkëpunimit ndërkulturor mes vendeve tona” – ka shkruar Ahmeti në faqen e tij në rrjetin social Facebook.