Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i kthehet zakonit të propagandës duke targetuar kundërshtarët politikë sa herë që duhet të jap përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Halimi, në një konferencë për media, tha se partia në pushtet propagandën e ka zanat që të merret në vazhdimësi me të kaluarën, njofton Klankosova.tv.
“Në sfidat që po kalojmë partia në pushtet po merret me propagandë në vend se të ofrojë zgjidhje për problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë. Dje ishim dëshmitarë se si pushteti që i ka krejt ju kthye zanatit të vet si i vetmi mjet të artikulimit të vet politik”.
“Propaganda e partisë në pushtet vazhdimisht i kthehet të kaluarës për t’i ikur përgjegjësive dhe ta mbulojë paaftësinë qeverisëse – mungesën e rezultateve të partisë në pushtet më së miri e përjetojnë qytetarët tanë në përditshmërinë e tyre”, u shpreh Halimi.
Tutje, Halimi tha kritikoi VV-në për krizën ekonomike duke thënë se e kanë ngulfatur ekonominë me inflacionin më të lartë në Evropë dhe me rritjen më të madhe të importit nga Serbia.
“Kur flasim për ekonominë, shifrat flasin ndryshe pasi për gjatë dy vjetëve kemi pasur vetëm ngecje. Ekonomia është ngulfatur dhe vetëm 9 për qind të buxhetit për investime kapitale është shfrytëzuar që i bie se janë 700 milionë euro më pak në qarkullim vlera e të cilave po humbet çdo ditë”.
“Po ashtu kemi inflacion prej 20 për qind që është ndër më i larti në Evropë, si rezultat i mosveprimit të qeverisë sot produktet ushqimore janë dyfishuar në çmim për dallim nga viti i kaluar ndërsa propozimet e LDK-së kundër inflacionit janë hedhur poshtë. Gjatë qeverisjes së tyre më së shumti ka pasur rritje të importit nga Serbia prej 370 milionë euro” tha Halimi.
Mes tjerash, Halimi bëri të ditur se propozimi i LDK-së për kryeministrin e vendit, Albin Kurti, është që ta shkarkojë nga detyra e ambasadorit, Martin Berishaj, për prishje të imazhit të Kosovës.