Topi: Kam kaluar ngjarjet e ’97, por 8 janari është dhimbje dhe turp

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi e cilësoi sulmin ndaj selisë së PD në 8 janar 2021 si një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe më turpëruese në historinë e kësaj partie.

Në një intervistë për Euronews Albania, Topi u shpreh se situata e krijuar në selinë e PD për shkak të luftës mes demokratëve ia kalon ngjarjeve shumë të rënda, me të cilat është përballur kjo parti në vitet ’96-’97, përcjell Klankosova.tv.

“Kam mbetur pa fjalë, është një dhimbje. Unë i takoj atij brezi politikanësh që janë futur një politikë shume herët dhe kam kaluar situata tepër të vështira brenda asaj partie, që lidhen me vitin ’96-‘97 kur kam qenë ministër e më tej në fillim vitet 2000 kur situata politike dhe e sigurisë në Shqipëri ka qenë shumë e dobët. Por, ngjarje më të dhimbshme dhe turpëruese se ajo e 8 janarit nuk kam parë. 

Një ngjarje merr karakter nga qëllimi, nëse je brenda një qëllimi normal edhe interpretimi është normal, nëse ai qëllim është të marrësh selinë dalim në parime që nuk i takojnë demokracisë. Turpërimin duhet të shkojë në mënyrë uniforme për ata jashtë dhe ata brenda, ngjarjet nuk ndodhin në një ditë”, u shpreh Topi.