Qyteti i Shkupit dorëzoi padi penale kundër Çimentores “USJE”: E ka ndotur ajrin

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp deklaroi se në periudhën e kaluar janë zbatuar matje të ajrit ambiental në fabrikën Çimentorja TITAN USJE dhe se është konstatuar se ka përqendrim të lartë të grimcave të cilat e ndotin ajrin. Ajo tha se ka ndërmarrë iniciativë që të ngritët procedurë penale.

“Më askush nuk do të tolerohet. Shëndeti i të gjithë neve që jetojmë këtu nuk guxon të varet prej profitit të disa personave. Bëhet fjalë për Çimentoren USJE ku janë kryer matjet e ajrit ambiental në fabrikë dhe është parë se ka përqendrim të lartë të grimcave të dëmshme të cilët në mënyrë të ndjeshme ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit ambiental në tërë zonën e Qytetit të Shkupit, tha Arsovska.

Ndryshe, më 21 gusht, shpërtheu zjarr në rrethin e Çimentores Usje në Kisella Vodë të Shkupit. Sipas Njësitit Territorial Kundër Zjarrit – Shkup, zjarri sipas të gjitha gjasave është shkaktuar nga defekti i instalimit elektrik.

Rikujtojmë që seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, në të cilën duhej të diskutohej për rekomandimet kundër ndotjes së ajrit, iniciuar nga grupi i këshilltarëve të LSDM-së, nuk do të mbahet. Këtë e ka bërë të ditur sot kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, i cili përmes një komunikate me shkrim të dërguar nga partia e tij amë VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nuk është mbledhur numri i mjaftueshëm i nënshkrimeve për mbajtjen e seancës.

Për dallim prej ditëve të kaluara, sot Shkupi u rendit në vendin e 53-të sipas listës së qyteteve më të ndotura në botë. Kjo do të thotë përmirësim i situatës për dallim prej disa ditëve, kur kryeqyteti me ditë ishte në top-dhjetëshen, ose në top-pesë qytetet më të ndotura. Mirëpo, kjo me shumë gjasa ka ardhur vetëm për shkak të reshjeve të shiut, i cili ka pastruar pak ajrin e Shkupit.