Refuzimi i ftesës së kryeministrit Edi Rama nga ana Bilall Kasamit është edhe një arsye më tepër dhe motiv që opinionistët dhe gazetarët maqedonas të hedhin vrer mbi takimin e Tiranës.
Së fundmi me një reagim kundër këtij takimi ka dalë gazetari Srgjan Ivanoviq.
Siç shkruan indeks.mk, në një kolumnë të publikuar së fundmi, Ivanoviq ka thënë se takime të tilla “sjellin trazira në shoqërinë maqedonase.” Sepse, këto takime ai i cilëson si “ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të Maqedonisë.”
“Kjo mënyrë komunikimi mes politikanëve shqiptarë të dy vendeve nga shumëkush interpretohet si ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të Maqedonisë, për të cilën, natyrisht, mund të gjenden një numër i madh argumentesh objektive”, ka shkruar Ivanoviq.
Për mos pjesëmarrjen e tij në këtë takim, arsyet i ka shpjeguar edhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, por ato arsye pak kush mund t’i marrë si të qëndrueshme.
Sipas analistëve politikë shqiptar, po edhe sipas vetë liderëve që morën pjesë në këtë takim, Kasami gaboi që nuk mori pjesë dhe se arsyet e tij janë shprehje e amatorizmit politik.