Xhezairi për RTSH: Takimi i liderëve shqiptarë me Ramën në frymën e krijimit të një fronti properëndimor

Gazetari dhe njohësi i rrethanave politike në Maqedoninë e Veriut, Seladin Xhezairi në një intervistë të dhënë për Radio Televizionin Shqiptar ka komentuar takimin e liderëve të partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama me ftesë të këtij të fundit për të diskutuar në këtë fillimvit sfidat e përbashkëta të zhvillimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Europian, përcjell bild.mk .

Ai, mes tjerash, ka folur edhe për aktualitetin politik në Maqedoninë e Veriut, pozicionimet politike të subjekteve maqedonase dhe shqiptare sa i përket rrugës së integrimit të vendit, qëndrimet properëndimore dhe tendencën e ndikimit rus përmes mekanizmave të ndryshme të veprimit.

Xhezairi vlerëson se takimi në Tiranë duhet parë nga këndvështrimi i një krijimi të frontit apo të aleancës properëndimore përballë taborrit tjetër.

Në vazhdim intervista e plotë e Seladin Xhezairit e dhënë për Radio Televizionin Shqiptar:

Ka shumë pikëpyetje takimi i zhvilluar në kryeqytet, tani ka edhe debat, në fakt ndikon dhe interferon në gjykimin tuaj ky takim, sa miqësor, sa po themi edhe i natyrshëm në politikën e brendshme apo për konsum të brendshëm në Maqeoninë e Veriut?

Xhezairi: “Çdo vizitë e delegacioneve partiake të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në Tiranën zyrtare, por pse jo edhe në Prishtinë nuk është se gjithëherë ka kaluar në shenjë miradijesh, përshëndetur nga qarqet politike maqedonase, sidomos ato opozitare dhe e njejta gjë po ndodh aktualisht, për shkak të qëndrimit dhe bisedimeve të mbrëmshme të liderëve të partive politike shqiptare me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, po pse jo është bërë edhe sot jehonë takimi mes shefit të integristëve Ali Ahmetit me Presidentin shqiptar, Begaj. Do të thosha shumë zhurmë për asgjë, për shkak se edhe zyrtarisht nuk pati se është miratuar ndonjë deklaratë që qarqet opozitare maqedonase e kanë mirëpritur dhe ashiqare do ta cilësonin si “Deklaratë të Tiranës”. Ajo që është thënë dhe ajo që pak para inkuadrimit në këtë bashkëbisedim pata rastin të bisedoj me pjesëmarrës të takimit të mbrëmshëm, nuk është se bie ndesh me aspiratat zyrtare të Maqedonisë për t’u përfshirë në familjen euro-atlantike, aq më tepër kur marrëdhëniet mes fqinjëve janë një ndër parakushtet për shpejtimi e procesit të integrimit, si të Shqipërisë, ashtu edhe të Maqedonisë së Veriut. Për vendin tim këtu telashe ekstra do të thosha, mosmarrëveshjet me Bullgarinë dhe një rrymë pak a shumë antiperëndimore opozitare maqedonase, kjo gjykoj e ka bërë të domosdoshëm takimin dhe vizitën e liderëve të partive politike shqiptare në Tiranë”.

Ju thoni shumë zhurmë për asgjë z. Xhezairi, por nëse kemi parasysh kush ishin pjesëmarrësit, kemi parasysh se ka pasur edhe një refuzim, në këtë takim ka qenë z. Ali Ahmeti nga BDI, ka qenë z. Menduh Thaçi nga PDSH, ka qenë z. Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët dhe Afrim Gashi nga Alternativa, por thirrjes nuk i është përgjigjur Lëvizja Besa e cila drejtohet nga Bilall Kasami, atëherë nëse është shumë zhurmë për asgjë atëherë pse nuk i është përgjigjur kësaj thirrje Kasami kur flasim edhe për parti politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Xhezairi: “Fillimisht jeta partiake këtu tek ne në Maqedoninë e Veriut, e organizimit politik të shqiptarëve është goxha e fragmentarizuar do të thosha dhe i kemi këto parti që janë pesë apo gjashtë që i numëruat ju që janë parti parlamentare dhe i kemi nja tre, katër parti që janë jashtëparlamentare dhe gjithmonë nuk është se nuk bëjnë zhurmë me qëllim që të tërheqin vëmendjen e publikut e pse të arkëtojnë edhe sa më shumë votues në zgjedhjet e rradhës. Partia e z. Bilall Kasami, rikujtoj teleshikuesit tuaj, para rreth një viti ishte pjesë e koalicionit qeverisës, mori deputet në listën e përbashkët me partinë Lidhja Socialdemokrate Maqedonase dhe pastaj për arsye që ata i dinë e braktisën koalicionin qeverisës. Në momentin që po flasim partia e z. Bilallit ka pushtetin lokal në dy komuna, në komunën e Tetovës dhe në një komunë rurale në afërsi të Tetovës, komunën e Zhelinës dhe meqë flitet me të madhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, opozita maqedonase dhe partia e z. Kasamit angazhohen për zgjedhje të parakohshme, por zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet parlamentare do të duhet të mbahen si të rregullta vitin e ardhshëm. Gjykoj unë se ka pasur edhe spekulime për afrim të partisë së z. Kasami me partinë kryesore opozitare maqedonase, VMRO – DPMNE-në dhe në këtë mozaik e shoh edhe ndërtimin e urave për një bashkëpunim në zgjedhjet e rradhës, ndërkohë që partitë shqiptare që ishin në Tiranë janë ithtare të krijimit të një aleance evropiane, për Maqedoninë evropiane që do të dilte në gara dhe për shkak të raportit të forcave mëton se mund të sigurojë fitoren e rradhës, pra Lidhja Social-Demokrate maqedonase e Kryeministri Kovaçevski dhe këto partitë shqiptare në gjykimin e tyre mund të korrin një fitore që do ta çonte përpara procesin e integrimit.Vizitën në Tiranë unë jam i prirur ta shoh edhe në kontekst të zhvillimeve në rajon, jo më larg se sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut në Shkup, krahas zyrtarit amerikan që e përmendët me kolegun nga Prishtina, ka qëndruar dhe bile po qëndron edhe një delegacion kishtar i Kishës Ortodokse Ruse, kur ti shtohet kësaj se Maqedonia është vend në vendet armiqësore nga Kremlini, atëherë Kremlini dhe Moska e Putinit tentojnë që të zhvillojnë në Shkup, siç thuhet atë diplomacinë kishtare me qëllim të krijimit të një opinioni prorus që nuk është se nuk ka baza këtu në Maqedoninë e Veriut, madje është edhe një parti parlamentare me dy deputetë që emrin e ka “E Majta” (Levica) që nuk e fsheh të deklarohet se është edhe proruse me lidhje të fuqishme. Prandaj, që të mos e stërgjas kujtoj se vizita e krerëve të partive shqiptare duhet parë nga këndvështrimi i një krijimi të frontit apo të aleancës, si të doni ta quajmë, properëndimore gjithmonë duke marrë parasysh taborrin tjetër që ta zëmë forca kryesore maqedonase VMRO DPMNE dhe në momentin që po flasim nuk është se po e përdor emrin e ri kushtetues të Maqedonisë së Veriut e ku mbeti për çështjet apo objektivat e tjera të procesit të integrimit”.

Kaq fuqi ka një Kryeministër shqiptar për të ndikuar në politikën e brendshme në këtë rast të Maqedonisë së Veriut, aq më tepër kur e dimë që kjo e fundit ka dalë edhe nga një ngërç i cili e pengoi rrugën europiane të saj, siç ishte edhe ngërçi etnik i vetos së Bullgarisë, pra kaq fuqi ekzekutive mund të ketë z. Rama sipas opozitës atje për të ndikuar politikën e brendshme në Maqedoni?

– Nëse nuk e kam harruar, në zgjedhjet e fundit lokale dhe të përgjithshme parlamentare këtu pati një anim të Partisë Socialiste të z. Rama pro koalicionit qeverisës, ndërkohë që opozita shqiptare ishte pro opozitës maqedonase, këtu dhe këto aleanca maqedono – shqiptare, si këtu ashtu edhe në nivel të dy vendeve nuk është se nuk janë vënë re edhe deri tani, por do pranuar se liderët e partive politike këtu në Maqedoninë e Veriut janë përafërsisht të të njëjtit format si tek ju në Tiranë, me të njëjtat dritëhije dhe intolerancë, mbase mund ta ulë atë mprehtësinë e intolerancës vetëm një ndikim i një të treti i cili do të dilte si një garant për uljen e tensioneve, për shkak se, nuk e di sa jeni në rrjedha, të gjitha partitë politike maqedonase LSDM-ja, VMRO-DPMNE-ja dhe pa përjashtim të gjitha partitë më të vogla shqiptare që mezi presin humbjen e partisë së z. Ahmeti e cila në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare nuk ka pësuar asnjë disfatë që nga themelimi në vitin 2002 dhe nga ky këndvështrim natyrisht se opozita e ka vetëm fjalën, ndërsa pushtetarët mund të ngarkohen edhe me etiketime, akuza e prova do të thosha çfarë edhe mund të jenë të kapshme, por në raportet aktuale të forcave politike gjukohet se të dyja partitë maqedonase, në rradhë të parë VMRO DPMNE-ja dhe LSDM-ja kanë interes politik partiak ta thellojnë bashkëpunimin me ndonjërën partive kryesore të shqiptarëve me qëllim që pas mbylljes së kutive të votimit të shënojnë fitoren dhe të marrin pushtetin, për shkak se e kanë thënë gati-gati të gjithë liderët e partive politike se pa votat e partive politike shqiptare vështirë se mund të krijohen koalicione më të qëndrueshme qeveritare. / bild.mk

Linku i intervistës së plotë: https://www.youtube.com/watch?v=HdvNRWr7F5U