Çmimet e produkteve bazike janë ulur për 10 për qind, masat kanë dhënë fryt, thotë Kovaçevski

Çmimet e produkteve bazike ushqimore janë ulur deri në 10 për qind dhe kjo mund të vërehet gjithandej. Tek produktet e mishit ka një rënie prej pesë deri në 12 për qind dhe po të shikohen normat mujore të inflacionit, mund të vërehet se ulet dy muaj me radhë. Kjo do të thotë se masat e ndërmarra nga Qeveria kanë dhënë fryte, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në pyetjen e gazetarëve.

Kovaçevski theksoi se Qeveria i merr masat në koordinim me odat ekonomike dhe me përfaqësuesit e të gjithë sektorëve në kuadër të odave ekonomike, përkatësisht prodhuesit e produkteve bazike ushqimore.

Siç tha, ata marrin një çmim të subvencionuar të energjisë elektrike prej 80 euro për megavat orë, që është çmimi i energjisë elektrike disa herë më i ulët se ai që blinin në bursë më parë.

“Megjithatë, çmimi i energjisë elektrike, gjegjësishtr rryma është një parametër hyrës në çmimin përfundimtar, dhe çmimi i energjisë elektrike ndikohet edhe nga rritja e çmimit të lëndëve të para në bursat botërore, këtu në radhë të parë e kam parasysh mishin, qumështin, drithin… Edhe kompanitë janë të vetëdijshme se shteti po bën maksimumin për t’i ndihmuar, sepse dhënia e energjisë elektrike me 80 euro për megavat orë kur çmimi i energjisë elektrike ishte 500 euro për megavat orë do të thotë shpenzim financiar për shtetin me qëllim uljen e çmimeve”, theksoi Kovaçevski.

Nëse shikohen normat mujore të inflacionit, Kovaçevski tha se për dy muaj me radhë norma e inflacionit është në rënie, dhe inflacioni vjetor me të cilën e mbyllëm vitin është në nivelin e vendeve të tjera evropiane.

“Është normale që shteti të marrë masa. Ne e kemi zgjatur kufirin e marzheve, por për lehtësimin e mëtejshëm fiskal për momentin nuk diskutohet. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë diskutime në të ardhmen, por duhet pasur kujdes edhe për buxhetin. Buxheti ka anën e tij të të ardhurave dhe shpenzimeve. Nëse vazhdimisht rrisim anën e shpenzimeve dhe zvogëlojmë anën e të hyrave, kjo do të ndikojë negativisht në parametrat e tjerë të buxhetit”, shtoi Kovaçevski.