Luftime të përgjakshme në Solidar – Klan Macedonia

Ukraina ka paralajmëruar kërcënimin e sulmeve raketore nga Bjellorusia me qëllim goditjen e veriperëndimit

Forcat ukrainase ende po qëndrojnë përballë rezistencës se ushtrisë ruse në qytetin lindor të minierave të kripës, Soledar, pas një nate të ashpër luftimesh në atë që është bërë një nga fushat e betejës më të përgjakshme.

Të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha në betejën për qytetin e vogël. Moska po kërkon atë që do të ishte fitimi i saj i parë i madh në fushën e betejës pas një gjysmë viti tërheqjeje poshtëruese. Kompania mercenare ultra-nacionaliste Wagner e drejtuar nga një aleat i Presidentit Vladimir Putin ka pretenduar se ka marrë qytetin por ministria ruse e mbrojtjes ka thënë deri më tani pak për situatën atje.

Jashtë Soledar, ushtarët ukrainas u gërmuan në llogore të fortifikuara për të bombarduar forcat ruse. Zyrtarët ukrainas thonë se më shumë se 500 civilë janë bllokuar brenda, duke përfshirë 15 fëmijë.

Në një fjalim video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy falenderoi dy njësi në Soledar, për të cilët tha se “po mbanin pozicionet e tyre dhe po i shkaktonin humbje të konsiderueshme armikut“. Zyrtarët amerikanë thanë se një fitore ruse në Soledar, apo edhe në Bakhmut , do të thoshte pak për situatën e përgjithshme të luftës.

Ndërkaq ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksii Reznikov në një intervistë me BBC u shpreh se Ukraina është bërë një anëtare de facto e aleancës së NATO-s, pasi vendet perëndimore, dikur të shqetësuara se ndihma ushtarake mund të shihet si një përshkallëzim nga Rusia,  po ndryshojnë qasjen e tyre të të menduarit.

“Ukraina si një vend, dhe forcat e armatosura të Ukrainës, u bënë një anëtare e NATO-s. De fakto sepse ne kemi armatim dhe kuptojmë se si t’i përdorim ato.” Ukraina, prej vitesh, ka kërkuar t’i bashkohet aleancës ushtarake, diçka që Presidenti Vladimir Putin e ka përshkruar si një kërcënim sigurie për Rusinë.

Viti i ri ka sjellë premtime të rëndësishme për armë shtesë perëndimore për Ukrainën, e cila po kërkon automjete të blinduara për të zhvilluar beteja kundër  rusëve. Javën e kaluar, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara u zotuan të dërgojnë automjete të blinduara luftarake.

Ndërkaq Ukraina ka paralajmëruar kërcënimin e sulmeve raketore nga Bjellorusia. Kjo vjen pasi presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se Ukraina duhet të jetë gati në kufirin e saj me Bjellorusinë. Territori i Bjellorusisë është përdorur vazhdimisht nga trupat ruse për të kryer manovra të caktuara atje.

Klan News