Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në emisionin 360 shkallë në Alsat-M ka rikonfirmuar publikisht qëndrimet e tij pro VMRO – DPMNE-së, duke thënë se ideja për koalicion të gjerë parazgjedhor “proevropian” në të cilin do të hynin partitë e pushtetit plus Aleanca për Shqiptarët dhe ndoshta edhe Besa, është joreal, sepse në të duhet të jetë edhe VMRO – DPMNE!
Me këtë deklaratë, ai e pranon se në rreshtimin përkrah forcave europiane të vendit po i pengon mospjesëmarrja e VMRO-së opozitare maqedonase, me të cilën po e lidh interesi i ngushtë partiak.
Kasami vazhdon të bëjë avokatin e VMRO-së, të përkrahë dhe amnistojë qëndrimet e saj anti-rrugës europiane të vendit. Ai dhe bashkëpartiakët e tij si duket nuk mund ta paramendojnë funksionimin e subjektit të tyre pa VMRO-në si partner koalicioni edhe përkundër qëndrimit të prerë të saj kundër propozimit francez që zhbllokoi rrugën europiane të vendit.
Narrativi politik i Kasamit ka ndryshuar që nga ai moment kur VMRO-ja e ndihmoi të fitojë komunën e Tetovës dhe që nga ajo ditë qëndrimet e këtyre dy subjekteve janë në një vijë ideologjike dhe të koordinuara mirë.
Me këtë, tashmë është evidente se Besa i është bashkangjitur në taborrin antieuropian të VMRO – DPMNE-së dhe Levicës.