Nis nesër sesioni i ri parlamentar në Shqipëri

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë pritet t’i rikthehen nesër jetës parlamentare. Në orën 16:00 të së hënës do të mbahet seanca e parë për sesionin e katërt të parlamentit.

Kjo seancë pritet të jetë ceremoniale, ku fillimisht fjalën do e mbajë kryetarja e kuvendit, Lindita Nikolla, e cila do të bëjë edhe një bilanc të sesionit që u la pas dhe sfidat e sesionit të ri. Po ashtu, fjalë përshëndetëse do të kenë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Në këtë sesion pritet të hapet procedura për avokatin e popullit, proces të cilin palët politike nuk e përfunduan në fund të vitit të kaluar.

Ndalimi i spiunëve në funksionet publike është një tjetër pikë që pritet të shqyrtohet. Çështje, e cila i ka kaluar komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

Dy nisma të tjera që janë artikuluar në publik nga qeveria, janë amnistia fiskale dhe pasaportat e arta. Të dyja janë kundërshtuar nga organizmat ndërkombëtar, por shumica socialiste shprehet e vendosur për t’u dhënë jetë të dyja iniciativave.

Parlamenti pritet të shqyrtojë edhe ligjin për dekoratat, të kthyer dy ditë më parë nga presidenti Bajram Begaj.

Në këtë sesion të ri parlamentar pritet të mos mungojnë as debatet mes të dyja kaheve, pak muaj përpara garës elektorale të zgjedhjeve vendore të 14 majit./euronewsalbania/