Qëllonte me armë shtëpitë e ligjvënësve, arrestohet ish-kandidati republikan – Klan Macedonia

Një kandidat i dështuar republikan, për të cilin autoritetet thanë se ishte i zemëruar për humbjen e tij dhe pretendonte pa fakte se zgjedhjet e nëntorit të kaluar ishin “të manipuluara” kundër tij, u arrestua në lidhje me një seri të shtënash me armë nga makina, që kishin për objektiv shtëpitë e ligjvënësve demokratë në qytetin më të madh të shtetit New Mexico.

39-vjeçari Solomon Pena u arrestua të hënën në mbrëmje, vetëm disa orë pasi njësia speciale SWAT bastisi shtëpinë e tij dhe e ndaloi atë, njoftuan autoritetet.

Shefi i policisë së qytetit Albuquerque, Harold Medina, e cilësoi zotin Pena si personin e dyshuar për atë që ai e quajti një komplot i motivuar politikisht që rezultoi në goditje me armë të shtëpive të dy komisionerëve elektoralë të qarkut dhe dy ligjvënësve të shtetit mes fillimit të dhjetorit dhe ditëve të para të janarit.

Askush nuk u lëndua nga të shtënat, por në një rast tre plumba goditën dhomën e gjumit të vajzës 10-vjeçare të një senatoreje të shtetit.

Në nëntor zoti Pena kandidoi pa sukses kundër ligjvënësit demokrat Miguel P. Garcia. Policia tha se pas zgjedhjeve zoti Pena u shfaq i paftuar në shtëpitë e zyrtarëve të zgjedhur, me pretendimet se kishte dokumente që vërtetonin se ai i kishte fituar zgjedhjet. Nuk ka prova për manipulime në shkallë të gjerë të zgjedhjeve në New Mexico në vitin 2020 apo 2022. Të shtënat ndaj shtëpive të demokratëve filluan pak pas konfrontimit në fjalë.

“Ky lloj radikalizmi përbën kërcënim për vendin tonë dhe ka arritur në pragun tonë në Albuquerque në New Mexico”, tha kryebashkiaku Tim Keller. “Ne do të rezistojmë dhe nuk do ta lejojmë të kalojë këtë cak”.

Katër individë bashkëpunuan me zotin Pena, i cili akuzohet se i kishte paguar ata me para në dorë për të kryer të paktën dy nga sulmet me armë nga makina të vjedhura, ndërsa vetë Pena kishte qëlluar gjatë njërit prej sulmeve, tha zëvendës komandanti i policisë Kyle Hartsock.

Detektivët e identifikuan Penën si të dyshuarin kryesor duke përdorur një kombinim të tabulateve të telefonit celular, të dhënave nga automjetet, intervistave me dëshmitarët dhe gëzhojave të mbledhura në shtëpitë e ligjvënësve, tha policia. Arrestimi i tij erdhi një javë pasi zoti Medina njoftoi se kishin identifikuar një të dyshuar për sulmet.

Askush nuk u lëndua nga të shtënat, të cilat ndodhën mes shtimit të kërcënimeve ndaj anëtarëve të Kongresit, anëtarëve të bordit të shkollave, zyrtarëve zgjedhorë dhe punonjësve të tjerë të qeverisë në mbarë vendin.

Të shtënat filluan më 4 dhjetor, kur tetë plumba goditën shtëpinë e komisioneres së qarkut Bernalillo, Adriann Barboa. Ditë më vonë u vu në shënjesët shtëpia e ligjvënësit Javier Martinez. Më 11 dhjetor disa dhjetëra plumba goditën shtëpinë e komisioneres së Qarkut Bernalillo, Debbie O’Malley, tha policia.

Sulmi i fundit kishte në shënjestër shtëpinë e senatores së shtetit Linda Lopez, mesnatën e 3 janarit. Policia tha se më shumë se një duzinë të shtënash u drejtuan mbi shtëpinë e zonjës Lopez, e cila tha se tre nga plumbat kaluan nëpër dhomën e gjumit të vajzës së saj 10-vjeçare.

Policia gjeti gëzhoja plumbash që përputheshin me një pistoletë të gjetur disa orë më vonë në një veturë në pronësi të zotit Pena. Rreth orës 1:30 të mëngjesit, afërsisht një orë pas goditjes me armë të shtëpisë së zonjës Lopez, policia ndaloi veturën e markës Nissan rreth 6 kilometra larg lagjes së ligjvënëses.

Shoferi, i identifikuar natën e së hënës si Jose Trujillo, u arrestua në bazë të një urdhëri të mëparshëm. Atij iu gjetën në makinë më shumë se 800 pilula të drogës fentanyl dhe dy armë zjarri, sipas policisë.

Partia Republikane e shtetit New Mexico e dënoi zotin Pena përmes një deklarate shtypi të hënën. “Nëse Pena gjendet fajtor, ai duhet të përballet me forcën e plotë të ligjit”, thuhet në njoftimin e degës së partisë republikane./VOA