Qendra “johumane” për trajtimin e qenve endacakë në Ferizaj (VIDEO)

Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj, në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, përmes një projekti, ka ndërtuar një qendër të përkohshme për trajtimin e qenve endacakë, në fshatin Muhoc në Ferizaj.

Buxheti për këtë objekt është i ndarë hiq më pak se 28 mijë euro, ku përfshihen të gjitha punimet, rrafshimi, kubëzat, ndërtimi i QTPQE-së, rrethoja dhe instalimi elektrik i ujësjellësit.

Vendi ku është ndërtuar kjo qendër është pronë publike e Komunës, dhe përveç ndërtimit të qendrës për trajtimin e qenve, në këtë lokacion do të ndërtohet edhe tregu i kafshëve.

Burim Bajrami, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, ndërtimin e kësaj qendre e ka parë si të arsyeshëm për shkak të largësisë nga vendbanimi, për shkak të hapësirës dhe të qetësisë që ofron ky vend.

Kjo si qendër do të shërbejë vetëm për qëndrim të përkohshëm për qentë endacakë sepse pas operacionit, sterilizimit apo kastrimit, ata do të qëndrojnë aty 3 deri në 7 ditë dhe më pas do të lirohen prapë në vendin e marrjes.

Bajrami ka theksuar se vazhdimisht janë konsultuar me ekspertë të fushës dhe kanë respektuar të gjitha udhëzimet administrative që janë brenda Republikës së Kosovës për ndërtimin e kësaj qendre.

Megjithatë për ndërtimin e kësaj qendre, ka dalë kundër Fondacioni për të drejtat e kafshëve, duke e konsideruar se është një objekt i ndërtuar sipas standardeve jo të duhura.

Drejtoresha e këtij fondacioni, Elza Ramadani, thotë se Komuna e Ferizajt, me ato para shumë më mirë kishte mundur ta ndërtonte një qendër të përkohshme për trajtimin e qenve endacakë.

Po ashtu, Ramadani ka theksuar se janë të dëshpëruar me gjendjen e Komunës së Ferizajt lidhur me trajtimin e qenve endacakë që do t’u bëhet aty.

Në komunën e Ferizajt, që nga  27 mars 2021 deri më 31 mars 2022, janë trajtuar 1 mijë e 253 qenë endacakë.