Mazhoranca në Maqedoninë e Veriut pritet të shtojë deputetët e saj, ndërsa ende është përpara sfidës për të siguruar 80 votat që do t’i mundësonin ndryshimin e Kushtetutës për të vijuar në procesin integrues.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi s se Aleanca për Shqiptarët mund të bëhet pjesë e Qeverisë.
Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike Seladin Xhezairi në një intervistë për Euronews Albania, ka deklaruar se mazhoranca po bën çmos për mbledhjen e votave në mënyrë që të bëjë ndryshimet kushtetuese.
Sipas tij, mazhoranca ka siguruar 75 vota dhe i duhen edhe 5 të tjera ndërsa theksoi se një koalicion i zgjeruar parazgjedhor mund të korr fitore dhe të çojë para procesin e integrimit në BE.
“Mazhoranca parlamentare po bën çmos për sigurimin e shumicës së domosdoshme për ndryshimet kushtetuese dhe e dyta po kjo mazhorancë duket se do të dalë si një koalicion. Pretendohet se një koalicion i zgjeruar parazgjedhor me LSDM-në, BDI-në dhe parti të tjera shqiptare konkretisht Aleancën për Shqiptarët mund të korr fitore dhe të çojë para procesin e integrimit në familjen evropiane. Në këtë rrafsh flitet gjithnjë e më shumë se tani ka filluar të bisedohet me aleancat. Gjykoj se kjo mazhorancë parlamentare nuk do të votojë pro zgjedhjeve të parakohshme pa ndryshimet kushtetuese, pa përfshirjen e bullgarëve. Opozita maqedonase dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe pastaj të bëhen ndryshimet kushtetuese, dhe këtu është përplasja kryesore. Mazhoranca ka siguruar 75 vota dhe i duhen dhe 5 vota të deputetëve. Shumica parlamentare mund ta sigurojë dhe këto 5 vota të tjera dhe pse asaj mund t’i kushtojnë shumë”, theksoi ai.
Më tej ai shtoi se BE dhe administrata amerikane janë të interesuara që të përshpejtohet procesi i integrimit për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe ndikimit rus.