Zbulohet shtëpia e tretë e bosit të Cosa Nostra – Klan Macedonia

Në apartamentin e parë të gjetur të bosit të Cosa Nostra-s që u kontrollua nga Ros, në Campobello të Mazara ku Matteo Messina Denaro jetonte prej të paktën 6 muajsh, u gjetën disa dokumente. Sipas asaj që raporton ANSA, këto dokumente po analizohen nga hetuesit dhe mësohet se deri më tani janë gjetur disa numra telefoni me iniciale.

Teksa në banesën e dytë të zbuluar nga autoritetet italiane vijojnë kontrollet, policia ka zbuluar një tjetër banesë ku ka jetuar Messina Denaro. Bëhet fjalë për një apartament që gjendet gjithnjë në Campobello të Mazara-s, në të njëjtin qytet ku u gjetën edhe 2 vendet e tjera ku strehohej kapomafia.

Edhe banesa e tretë është kontrolluar. Megjithatë mesa mësohet, apartamenti ishte i boshatisur dhe ishte nxjerrë në shitje. Autoritetet po kërkojnë pronarin e saj.

Ndërkohë bosi Matteo Messina Denaro nuk mori pjesë në seancën dëgjimore që ishte planifikuar të zhvillohej mëngjesin e kësaj të enjteje me videokonferencë nga burgu i Aquila-s, ku ai ndodhet. Gjithçka ishte gati, por ai hoqi dorë. Kjo seancë dëgjimore është shtyrë për në 9 Mars, për t’i dhënë mundësi të pandehurit që të jetë prezent.

Ndërkohë, prokurori i përgjithshëm i Caltanissetta, Antonino Patti tha se të gjithë shpresojnë që Messina Denaro të bashkëpunojë.

“Që të bashkëpunojë e shpresojmë të gjithë, po askush nuk mund ta dijë. Ai ka të dhëna për masakrat e 92-t dhe 94-s që edhe sot e kësaj dite janë të panjohura nga bashkëpunëtorët e tjerë”, tha Patti./tvklan.al