Qeveria prezanton të arriturat në integrim ndërkombëtar e diplomaci në 2022-tën

Qeveria e Kosovës ka prezantuar të arriturat në integrim ndërkombëtar dhe diplomaci për vitin 2022.

Në njoftimin e tyre thuhet se viti i kaluar ishte vit i hapave historik për agjendën integruese dhe siç thanë ata i konfirmimit të aleancave dhe orientimeve diplomatike.

Ata theksuan aplikimin në Këshillin e Evropës dhe atë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përcjell Klankosova.tv.

Gjithashtu në këtë prezantim ata theksuan se me 1 janari të vitit 2024, më së voni, sipas tyre hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Njoftimi i plotë i qeverisë:

2022: Qeveria për integrim ndërkombëtar dhe diplomaci

Viti i kaluar ishte vit i hapave historik për agjendën tonë integruese dhe i konfirmimit të aleancave dhe orientimeve tona diplomatike:

– Në maj, aplikuam në Këshillin e Evropës;

– Në dhjetor, aplikuam për anëtarësim në BE;

– Nga 1 janari 2024, më së voni, hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Republikës;

– Nënshkruam tre marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit: për lëvizjen e lirë me letërnjoftime; njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë; dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve;

– Themeluam Grupin Punues për anëtarësim në NATO;

– Vendosëm Marrëdhënie Konsullore me Poloninë, Marrëdhënie Diplomatike me Timorin Lindor dhe avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi;

– Rreshtuam politikën tonë të jashtme me BE-në, ShBA-në dhe Britaninë e Madhe duke dënuar agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse;

– Mirëpritëm 12 gazetarë ukrainas dhe ndamë mjetet për pesë tjerë afganë;

– Finalizuam reformën e brendshme dhe kthyem ligjshmërinë në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

– Lansuam programin e parë për Diplomaci Qytetare në kuadër të së cilit janë përzgjedhur 10 profesionistë të rinj nga mërgata që po angazhohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës;

– Blemë objektin e ambasadës në ShBA, ndërkaq jemi në proces të blerjes së objektit të ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar;

– Zhvilluam platformën “Dialogu me Mërgatën” në 16 lokacione të ndryshme jashtë vendit, dhe lansuam programin për mërgimtarë “Shijo Kosovën” në 15 komuna të Republikës së Kosovës;

– Organizuam Samitin Digjital për Ballkanin Perëndimor “Prishtina 2022”, ngjarja më e madhe rajonale në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, me rreth 500 pjesëmarrës dhe më shumë se 60 folës;

– Së bashku me Presidencën, lansuam edicionin e parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë;

– Prishtina u bë nikoqire e Samitit të Ballkanit Perëndimor 2022, organizim ky i revistës prestigjioze “The Economist”, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit.