Ismajli, (PDK): Emërimi me ngulm i tezakes së presidentes për t’i menaxhuar 68.9 milionë euro grante e subvencione tregon shumë për këtë pushtet

Koordinatori i Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Naim Ismajli, ka reaguar pas emërimit të Venera Çerkinit, tezakes së presidentes Vjosa Osmani në pozitë të lartë në Qeveri, për t’i menaxhuar 68.9 milionë euro gjatë këtij viti.

Ismajli ka shkruar në faqen e tij në facebook se pas kapjes së institucioneve me militantë partiakë, krerët e shtetit tani kanë filluar të rehatojnë familjarët e tyre në pozita të rëndësishme për të menaxhuar dhjetëra miliona euro, transmeton klankosova.tv.

”Venera Çerkini, tezakja e presidentes Vjosa Osmani, u emërua drejtoreshë e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, institucion në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë që drejtohet nga ministri Faton Peci, bashkëpartiak me Osmanin në listën Guxo. Nga kjo pozitë, Venera Çerkini do të menaxhojë 68.9 milionë euro, të planifikuara për grante dhe subvencione për të gjithë fermerët e Kosovës”, thotë Ismajli.

Edhe pse gjatë procedurave të konkursit, familjarja e presidentes Osmani nuk u kualifikua as në listën e ngushtë nga vlerësuesit anglezë, ekspertë të pavarur të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ajo u emërua në këtë pozitë të lartë nga Qeveria e Kosovës.

”Ky emërim i tezakes së presidentes me kaq ngulm, edhe përkundër vlerësimit negativ të ekspertëve ndërkombëtarë, flet shumë për qëllimin e kapjes edhe të një institucioni të pavarur, por dhe për interesimin e presidentes Vjosa Osmani dhe të pushtetit aktual për të futur familjarët e tyre në menaxhimin e dhjetëra miliona eurove nga taksat e qytetarëve të Kosovës”, tha Ismajli.