15 banesa dhe 1,400 hektarë tokë nën ujë në Shkodër

Reshjet e shiut dhe të dëborës vijojnë të mbajnë të mbërthyer Shqipërinë duke shkaktuar probleme kryesisht në veri dhe juglindje.

Në Shkodër, sipërfaqja e tokave nën ujë llogaritet 1400 hektarë. Më problematike situata paraqitet në njësinë administrative ana e malit, ku në 15 banesa në Obot ka prezencë uji.

Rruga e Obotit vijon të jetë e pakalueshme, po ashtu edhe aksi Shirq-Darragjat. Ndërsa në Lezhë janë nën ujë 350 hektarë tokë.

Në Durrës, për shkak të rrëshqitjeve të dherave është bllokuar njëri krah i rrugës që lidh shëtitoren Taulantia me zonën e Currilave.

Probleme ka edhe me reshjet e dëborës në zonat e thella ku më problematike është situata në akset Bogë-Theth, Qafë Thore-Theth, Dushaj-Lekbibaj ku trashësia e borës ka arritur mbi 1 metër.

Në Dibër nuk ka asnjë aks të bllokuar përveç atij Peshkopi-Lurë. Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në rrjetin elektrik ne disa zona rurale në Shkodër, Pukë, Malësi të Madhe, Korçë dhe Lushnje./Tv Klan/