Italia nën pushtetin e borës dhe përmbytjeve – Klan Macedonia

Cikloni polar nga Evropa Veriore ka sjellë ulje drastike të temperaturave dhe praninë e ngricave në disa shtete të tjera europiane

Moti i keq vijon të godasë Italinë. Një pjesë e madhe e shkollave janë mbyllur në shumë rajone për shkak të stuhisë së borës.

Në Trentino pritet që niveli i borës të arrijë në 700 cm. Moti i ftohtë dhe me ulje temperaturash parashikohet gjithashtu edhe lindja dhe juglindja e Italisë. Ndërkaq stuhia e dëborës është shoqëruar edhe me erëra të forta deri në 120 km/h duke detyruar autoritetet që të shpallin alarmin e verdhë në disa rajone dhe në disa të tjera alarmin e kuq. Komuna e Triestes ka mbyllur kopshtet publike si dhe disa rrugë kanë ndalur qarkullimin për automjetet e rënda.

Ndërkaq nga ana tjetër situata mbetet kritike në rajonin Marche, ku rreshjet e fuqishme të shiut kanë shkaktuar dëme. Autoritetet kanë bërë thirrje që njerëzit të mos dalin jashtë pa qenë e nevojshme pasi përrenjtë rrezikojnë të dalin për shkak të rreshjeve të shumta të shiut. Në zonën e Ankonës, reshjet e shiut vazhduan gjatë gjithë natës që shkaktuan rënien e degëve dhe pemëve në rrugë. Vala e motit të keq që goditi Kalabrinë vijon gjithashtu të shkaktojë shqetësime.

I ftohti polar ka përfshirë gjithashtu edhe Britaninë e Madhe. Met Office ka lëshuar larmin e verdhë në disa qytete për shkak të temperaturave të ulëta dhe erës së fuqishme. Stuhia gjithashtu pritet të zhvendoset në Irlandën e Veriut dhe pjesë të Skocisë së Veriut. Një seri paralajmërimesh nga Met Office u lëshuan në disa zona për shkak të mjegullës e cila u bë burim aksidentetesh pa pasoja të rënda .

Ardhja e rrymave të ftohta të ajrit që zbresin nga Evropa Veriore, kanë sjellë ulje drastike të temperaturave dhe praninë e ngricave dhe akullit në rrugë në disa shtete të tjera europiane, mes tyre Gjermaninë , Poloninë dhe Kroacinë.

Klan News