Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se ka identifikuar personat e dyshuar në lidhje me incidentin e sotëm në Leposaviq, ku të njëjtit nuk përfillën urdhrin e policisë për të ndaluar, dhe u larguan duke goditur veturën e Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, dy personat e dyshuar rezultojnë të jenë persona me të kaluar kriminale dhe të përfshirë në dhjetëra vepra penale.
Madje njëri prej dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra të tilla, njofton Klankosova.tv.
“Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare ka ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore dhe ka identifikuar dy persona të dyshuar, verifikimet e të cilëve kanë rezultuar me përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale”.
Njoftimi i plotë i policisë:
Personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast sipas të dhënave rezultojnë të jenë persona me të kaluar kriminale dhe të përfshirë në dhjetëra veprave penale dhe kundërvajtje si:
- I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje. Po ashtu,
- I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova etj, etj. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim, si dhe parandalimit të veprimtarive të ndryshme kriminale.