Sveçla: Asnjë formë dhune ndaj policisë sonë nuk do të tolerohet

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është shprehur i shqetësuar me incidentin e fundit në Leposaviq, ku dy persona me një veturë kanë tentuar t’i largohen policisë, duke goditur veturën e Policisë së Kosovës.

“I shqetësuar për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me një automjet tentuan t’i shmangen një postblloku policie. Ata kanë goditur me dashje veturën e Policisë së Kosovës dhe kanë vënë në rrezik jetën e policëve. Policët e Policisë së Kosovës janë detyruar të qëllojnë në drejtim të automjetit për të neutralizuar situatën”, ka shkruar Sveçla në Twitter.

Sveçla ka treguar se është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, teksa ka shtuar se asnjë formë dhune ndaj policisë nuk do të tolerohet, njofton Klankosova.tv.

“Një hetim është duke u zhvilluar dhe Inspektorati Policor i Kosovës është i përfshirë në mënyrë aktive. Dua të jem i qartë: asnjë formë dhune ndaj policisë sonë nuk do të tolerohet. Mbrojtja e qytetarëve dhe zbatimi i ligjit është prioriteti ynë kryesor”, shtoi ai.